Xhixho: Zhvlerësimi i qëllimshëm i euros ka rrënuar eksportet dhe ka rënduar situatën financiare për bizneset fason

Deklarata e zv. Presidentes të Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho

Zhvlerësimi i qëllimshëm i euros ka rrënuar eksportet dhe ka rënduar situatën financiare për bizneset fason. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, eksportet kanë rënë me 15.4% në 2024-n, duke shënuar të dytin vit radhazi me ecuri negative.

Në mënyrë të veçantë, eksportet për kategorinë tekstile dhe këpucë kanë rënë me 20%. Kjo do të thotë mbyllje e dhjetëra bizneseve fason dhe humbje e vendeve të punës për mijëra familjarë.

Gjatë vitit që lamë pas, janë shkurtuar mbi 10 mijë vende pune, si pasojë e mbylljes së më shumë se 50 bizneseve të këtij sektori. Zhvlerësimi i qëllimshëm të euros ka prishur zinxhirët e bizneseve, duke ndikuar drejtpërdrejt në ekonominë e dobët të familjeve me të ardhura të ulëta.

Kriza në të cilën e ka zhytur zhvlerësimi i euros këtë sektor që punëson me mijëra qytetarë nuk është gjë e re. Fasonët kanë kërkuar mbështetje, por qeveria është tallur me mijëra sipërmarrës të ndershëm dhe punonjës që nuk kanë me çfarë të mbajnë sot familjet.

Kërkesës së vetë fasonëve dhe opozitës për ndihmë reale financiare, qeveria iu përgjigj me një pseudogaranci sovrane prej 4 miliardë lekësh, e cila i shërbeu vetëm asaj për propagandë. Që prej hyrjes në fuqi të kësaj garancie, në prill 2024, e deri në përfundimin e afatit të saj në fund të dhjetorit, qeveria nuk ka publikuar asnjë raport mbi ecurinë e saj. Të dhënat e raportuara në media deri në korrik flasin për vetëm një kredi të dhënë.

Pse nuk ka asnjë raport për ecurinë e kësaj garancie? Sepse vetëm në këtë mënyrë, qeveria mund ta fshehë dështimin e saj dhe braktisjen e prodhuesve dhe eksportuesve në krizën ku i ka futur fluksi i parave të pista.

Këtë më mirë se çdo gjë tjetër e provojnë sërish shifrat e INSTAT:

● Indeksi i punësimit në industrinë e fabrikave të tekstilit ka rënë më 20.8%

● Indeksi i pagave ka rënë me 21%

● Eksportet e veshjeve dhe këpucëve kanë rënë me 16.5%

Ajo që është rritur është vetëm fluksi i parasë së pisët që financon betonizimin e vendit. Qeveria është përfituesja direkte e shndërrimit të Shqipërisë në lavatriçe të parasë së pisët. Kjo qeveri që nuk e ka pasur kurrë prioritet as rritjen e ekonomisë dhe as qytetarin e thjeshtë.

Ndërsa kriza në këtë sektor thellohet dhe qindra qytetarë humbin vendet e punës përditë, e vetmja zgjidhje është ndryshimi që vjen me votë.

Shqipëria, fuqi eksportuese, është njëri prej 5 prioriteteve të Partisë së Lirisë. Përmes një platforme të qartë, ne do të:

● Mbështesim aktivitetet prodhuese dhe eksportuese për të arritur mbi nivelin e eksporteve 50 % të PBB, me mbështetje në infrastrukturë, çlirim të administratës nga korrupsioni dhe vendosje në shërbim të investimeve dhe biznesit, kualifikim të fuqisë punëtore, përjashtim të mjeteve të prodhimit nga detyrimet fiskale.

● Ulim koston e energjisë (të karburanteve me mbi 20 %, ulje e çmimit të energjisë elektrike për konsum familjar në 8L/KW nga 10.1L/KW që është aktualisht). Liberalizim dhe subvencionim për energjinë diellore për konsum familjar.

● Mbledhim rentën nga minierat, nga përdorimi i burimeve natyrore dhe përdorimi i natyrës për qëllime biznesi, dhe përdorimi i saj për fondin e pagave dhe pensioneve.

● Mbështesim aktivitetet prodhuese, si dhe në fushën e IT dhe inovacionit. 10000 Euro për start-upet dhe një periudhë pa taksa për 5 vite.

Eksportet mund të rimëkëmben, bizneset fason mund të rivitalizohen. Duhet mbështetje reale dhe jo mashtrime që rëndojnë mbi qytetarët dhe biznesin e ndershëm për të favorizuar oligarkët!