Goditja e klanit "Çela", Gjykata lë në burg 3 të arrestuarit në Elbasan. Trafikonin kok*inë nga Amerika e Jugut drejt Europës
Është caktuar masa "arrest me burg" me afat 40 ditor për Ervin Demën, Igli Dervishin e Shkëlqim Pashjan të arrestuar në Elbasan në kuadër të një opercioni të koordinuar mes Shqipërisë, Italisë dhe Spanjës për goditjen e grupit kriminal që trafikonte lëndë narkotike nga Amerika e Jugut për ta shitur në Evropë.
Tre personat e mësipërm u kapën dy ditë më parë nga policia dhe SPAK, në kuadër të finalizimit të operacionit “ICARO”, në Shqipëri dhe Itali, duke ekzekutuar 12 masa të sigurisë “arrest me burg” dhe 8 masave “...të marrjes në pyetje të personave nën hetim...”.
Tre personat e ndaluar do qëndrojnë në burg, deri në ekstradimin e tyre në Itali, ku pritet të përballen me akuzat e ngritura nga prokuroria e Breshias.
Ndërkohë pritet që në ditët në vijim para gjykatës të dalin dhe dy personat e tjerë Edmond Zhuja dhe Genti Berisha, që besohet se janë pjesë e këtij grupi kriminal.
Sipas njoftimit të SPAK, në kuadër të këtij operacioni në Shqipëri janë arrestuar 5 persona, me qëllim ekstradimin e tyre, të akuzuar si pjesëtarë të grupit.
Të arrestuar janë: Igli Dervishi, Shkëlqim Pashja, Ervin Dema, Edmond Zhuja dhe Genti Berisha.
Hetimet për goditjen e grupit kriminal nisën në gjysmën e dytë të vitit 2020, pasi u rregjistrua shpërndarja e lëndës narkotike e llojit kokainë, në disa lokale të zonës Lago di Garda në Itali dhe ato u kryen nën kujdesin e EUROJUST, në kuadër të një skuadre të përbashkët hetimore mes Prokurorisë së Brescias dhe SPAK-ut.
Gjithashtu në njoftim thuhet se në hetim ishin rreth 40 shtetas italianë dhe shqiptarë.
Në njoftim thuhej se goditja e grupit kriminal që drejtohej nga dy vëllezër nga Elbasani, erdhi pas zbërthimit të telefonave të enkriptuar të platformave të koduara si SKY EÇ.
Veprimtaria e grupit kriminal kryhej në zonat veriore të Italisë kryesisht, trafiku bëhej me makina, droga sillej nga Amerika e Jugut dhe marrëveshjet e biznesit mes Dubait dhe aksit Kolumbi-Ekuador. Fitimet e drogës silleshin me autobusën e linjës Breshia-Elbasan nga organizata.
Të arrestuar
Igli Dervishi banues në Elbasan
Shkëlqim Pashja banues në Elbasan
Ervin Dema banues në Elbasan
Edmond Zhuja banues në Shkodër
Genti Berisha banues në Tiranë
