Slot: Ky Champions i çuditshëm, Lille nuk më befason më
Arne Slot, trajner i Liverpoolit, u paraqit sot në konferencën për shtypin me një buzëqeshje para përballjes me Lille-n në Champions League. Çdo gjë po shkon për mrekulli për skuadrën e tij, që është lider në Premier League.
A është e rëndësishme të përfundoni të parët në këtë fazë grupesh të Champions League?
Është e rëndësishme të fitosh, por me këtë format nuk është gjithmonë pozicioni i parë ai më i miri, duke pasur parasysh që është një kompeticion shumë i çuditshëm.
Shikoni PSG-në, që është një nga skuadrat më të vështira për t’u përballur, dhe mund të përballemi me ta edhe nëse përfundojmë të parët... Kështu që është e pamundur të dish se çfarë do të ndodhë më pas.
Për më tepër, të jesh i pari nuk do të thotë të jesh skuadra më e mirë."
Çfarë mendoni për këtë skuadër të Lille?
Njoh trajnerin e tyre (Bruno Genesio) sepse jam përballur me të më parë (Rennes kundër Feyenoordit në vitin 2022) dhe më ka habitur mënyra se si luante skuadra e tij.
Tani shohim Lille-n që mposht Realin, Atleticon... Në letër mund të të habisin, por duke parë shumë ndeshje të tyre, nuk çuditem më.
Ata i meritojnë të gjitha pikët që kanë fituar, edhe për faktin që kanë pasur një short shumë të vështirë. Kanë luajtur kundër një Sportingu pothuajse të pamposhtur në atë periudhë, atë të Amorimit, dhe tani janë përballë nesh. Do të jetë e vështirë edhe për ne.
Ecuria e tyre bëhet akoma më mbresëlënëse duke pasur parasysh kalendarin që kanë pasur. Dhe seria e tyre aktuale prej 21 ndeshjesh pa humbje do të thotë diçka..."
Cilat janë pikat e forta të Lille?
Është e vështirë të thuhet, sepse shumë trajnerë kanë ndryshuar planet e tyre kundër nesh muajt e fundit.
Por, duke parë ndeshjet e tyre të fundit, ajo kundër Marseille ishte një ndeshje e hapur sepse presionojnë lart, nuk kanë frikë të nisin lojën nga mbrojtja. Por pyeteni trajnerin e Lille nëse do të mbajnë stilin e tyre të zakonshëm.
Ne na duhet vetëm një pikë për të qenë ndër tetë më të mirët, por kjo skuadër (Liverpooli) nuk ka luajtur kurrë për një pikë.
Dhe, qoftë nëse fitojmë apo jo, gjithmonë kemi kërkuar të zhvillojmë stilin tonë pa u përshtatur, përveçse në detaje të vogla. Ky është synimi ynë për nesër."
