Calhanoglu ende veçmas, ja si paraqitet gjendja e futbollistëve të Interit

Interi zbriti në fushën e stërvitjes sot, pas fitores 3-1 mbrëmë kundër Empolit në kampionat, për të nisur përgatitjet për sfidën e Ligës së Kampionëve kundër Spartës së Pragës në Republikën Çeke.

Kjo është ndeshja e parafundit e fazës së parë të kompeticionit më të lartë evropian dhe një përballje kyçe për zikaltrit në përpjekjen për t'u kualifikuar në fazën me eliminim direkt pa kaluar nga play-off-et.

Në stërvitje munguan portieri Di Gennaro, si dhe Yann Bisseck dhe Hakan Calhanoglu.

Për këta të fundit (sidomos për mbrojtësin Bisseck), objektivi është rikuperimi për ndeshjen e ardhshme të Ligës së Kampionëve, kundër Monakos në ndeshjen e fundit të fazës.

Gjendja e tyre do të monitorohet ditë pas dite, duke synuar që rikthimi të mos nxitohet dhe ata të jenë plotësisht gati për derbin kundër Milanit, që zhvillohet të dielën, më 2 shkurt, në ditën parafundit të merkatos së janarit.

Në seancën e sotme ka punuar veçmas, por me intensitet të mirë, Joaquin Correa. Megjithatë, "Tucu" nuk do të jetë i disponueshëm nesër mbrëma, pasi nuk është regjistruar në listën e UEFA-s.

Ndërkohë, Davide Frattesi u stërvit normalisht me grupin pas disa shqetësimeve të vogla ditët e fundit, ndërsa Francesco Acerbi vazhdoi të punojë individualisht.

Pas qëndrimit në stol mbrëmë, kundër Empolit, trajneri Simone Inzaghi pritet të vendosë nesër nëse do ta marrë me vete në Pragë apo do ta lërë në Pinetina për të vazhduar përgatitjet.