Berisha ''me mbështetësit'' në SPAK, demokratët të hënën në protestë para prokurorisë së Posaçme
Të hënën, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha do të paraqitet në SPAK për të respektuar masën e sigurisë detyrim paraqitje.
Mësohet se ai do të shkojë i shoqëruar nga mbështetësit e tij, të cilët ishin të pranishëm edhe në 6 janar.
Demokratët do të jenë sërish në protestë, të hënën, 20 Janar para SPAK kur Sali Berisha të paraqitet aty për herë të dytë brenda muajit në zbatim të masën e sigurisë detyrim paraqitje.
Gjykata e Posacme ka përcaktuar se kryedemokrati duhet paraqitet të hënën e parë dhe të tretë të cdo muaji në orën 10:00 në prokurorinë e Posacme dhe të firmosë para një oficeri të policsë gjyqësore.
Berisha ka paralajmëruar se do të respektojë masën, ndaj edhe demokratët janë thirrut të protestojnë para SPAK ashtu si në paraqitjen e parë.
“Në ora 9:30 përsëri të gjithë në protestë përpara SKAP- it si vegël në duart e Ramës për të përndjekur kundërshtarët politikë”, thuhet në një mesazh drejtuar strukturave të PD.
Berisha pas paraqitjes së parë në SPAK më 6 Janar, pati një komunikim me gazetarët dhe më pas iu drejtua me një fjalim mbështetësve. Skenari pritet të jetë i ngjashëm.
Sali Berisha është marrë i pandehur për dosjen ‘Partizani’, ku SPAK e akuzon se me një sërë veprimesh i hapi rrugë privatizimit të ish kompleksit sportiv që u pasua me ndërtimin e 19 kullave, ku përfitues është dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, i cili gjithashtu është nën akuzë.
Për këtë çështje, kryeopozitari qëndroi në arrest shtëpie për 11 muaj pasi nuk respektoi masën e sigurisë të vendosur në tetor të vitit 2023 detyrim paraqitje.
Të pandehur në dosjen Partizani janë edhe biznesmeni Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja orataku i Malltezit, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i 'Homeplan' dhe Andia Pustina, financiere që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan.
