Fillimi i fundit të parlamentit/ Afrim Krasniqi për ''Ora News'': Foltorja do të përdoret për interesa personale

Kreu i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi, paralajmëron për përdorimin e komisioneve parlamentare nga mazhoranca gjatë periudhës së zgjedhjeve.

Ai thekson se foltorja e Kuvendit mund të shndërrohet në një mjet për interesa private deri në 11 maj.

Sipas analistit, parlamenti ka humbur rolin e tij kontrollues ndaj qeverisë, duke shkelur ligjet vendase.

Të hënën nis sesioni i ri parlamentar, që është edhe i fundit për këtë legjislaturë.

Kreu i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi, thotë se duke qenë se jemi para zgjedhjeve, Shqipëria ka një veçori problematike që nuk e ka asnjë vend tjetër në Europë.

‘’Sistemi ynë parlamentar ka një defekt të madh i cili do na përsëritet përsëri këtë vit.

Do të thotë Shqipëria shkonë në zgjedhje muajin maj, parlamenti funksionon rregullisht dhe ndërkohë që ndodh fushata zgjedhore parlamenti bllokon punimet e veta për disa kohë jo më shumë se 30 ditë dhe vazhdon punë pas zgjedhjeve.

Dhe pas zgjedhjeve kemi një parlament që vazhdon punën i cili nuk është më i zgjedhur për shkak se janë bërë zgjedhjet dhe një parlament të ri i cili është zgjedhur icili pret për të filluar punën në muajin shtator''.

Gjatë këtyre muajve, Krasniqi ngre shqetësimin se komisionet e posaçme do të përdoren nga mazhoranca në funksion të zgjedhjeve.

Drejtuesi i Institutit të Studimeve Politike thotë se foltorja e Kuvendit deri në 11 maj do të përdoret për interesa edhe private.

‘’Brenda vetë PS, PD dhe partive të tjera ka individë që nuk e kanë të sigurtë nëse do jenë në lista të sigurta dhe ato do e përdorin maksimalisht tribunën parlamentare për të krijuar një imazh pozitiv politik’’.

Krasniqi shprehet se parlamenti ka humbur rolin e tij kontrollues ndaj qeverisë, ashtu siç parashikojnë ligjet vendase.