Bajrami: Bujqësia është kthyer në sektor inekzistent
Kryetarja e Komisionit të Bujqësisë në Partinë e Lirisë, Silvana Bajrami është shprehur sot në një deklaratë për mediet se bujqësia është kthyer në një sektor inekzistent, pasi mbështetja kryesore e buxhetit të planifikuar nga Bashkimi Evropian nëpërmjet IPARD II është zero.
“Sfida kryesore ne bujqësi dhe blegtori është mungesa e investimeve në infrastrukturën bujqësore.
Pa mbështetjen e duhur për modernizimin e mjeteve dhe teknologjive të prodhimit, fermerët do të vazhdojnë të kenë vështirësi në rritjen e prodhimit dhe përmirësimin e cilësisë së produkteve të tyre.
Fermerët sot po hedhin nëpër kanale prodhimet e tyre pasi importi ka mbytur Shqipërinë.
Një tjetër problematikë është shpërndarja e papërshtatshme e granteve dhe mbështetjes financiare për fermerët. Shumë herë, ata që kanë më shumë nevojë për mbështetje janë ata që nuk kanë mundësi t’i qasen fondeve,dhe arsyet dihet tashmë”, tha Bajrami.
Sipas programit të kësaj force politike, për sektorin e bujqësisë, “PL do të mbështesë bujqësinë me 30 miliardë lekë çdo vit dhe me indeksim progresiv në vitet në vazhdim”.
“Mbështetja e blegtorisë me pagesa direkte për krerë dhe njësi prodhimi, për të 4-fishuar numrin e krerëve, shpendëve dhe prodhimin vendas.
Do të realizohet subvencionim i prodhimit bujqësor për njësi të prodhimit, të sipërfaqes dhe për numër krerësh.
Pagesë grant e menjëhershme prej 10 mijë euro për çdo biznes të ri bujqësor familjar të krijuar dhe përjashtim të tij nga taksat e tatimet për 5 vite”, deklaroi ajo.
Kryetarja e Komisionit të Bujqësisë në Partinë e Lirisë, thekson se kjo parti do të ofrojë mbështetje me 50 për qind të vlerës së investimit të impianteve të kompostimit të plehrave organike në fermat bujqësore, si edhe mbështetje me 50 përqind të vlerës së investimit për instalimin e impianteve fotovoltaike në pikat e grumbullimit dhe të përpunimit të prodhimit bujqësor dhe blegtoral.
