Neville: Më vjen keq për Zirkzee, Manchester United ‘varrezë’ lojtarësh me reputacion
Manchester United, nën drejtimin e Ruben Amorim, ka pësuar dje humbjen e tretë radhazi në shtëpi.
Newcastle e mbylli çështjen pas vetëm 30 minutash, falë golave të Isak dhe Joeliinton dhe trajneri portugez pati nevojë të rishikonte planin taktik: në minutën e 33-të, Mainoo hyri në vend të Joshua Zirkzee, i cili doli i shoqëruar me fishkëllima dhe nuk e mori mirë këtë vendim.
Holandezi, pas një përqafimi të shkurtër me trajnerin, shkoi direkt në dhomat e zhveshjes, për t’u rikthyer disa minuta më vonë në pankinë.
Ky zëvendësim i parakohshëm dhe trajtimi i publikut ndaj tij e kanë prekur shumë legjendën e klubit, Gary Neville:
"Në fakt më vjen keq për të, vërtet," tha ai pas ndeshjes. "E di që ai fiton shumë para, por pas tij fshihet një njeri dhe të përjetosh këtë trajtim nga tifozët e tu është mizore.
Nuk shikohet shpesh një gjë e tillë në ‘Old Trafford’ dhe unë jam këtu prej 43 vjetësh."
Në 26 ndeshje këtë sezon, Zirkzee ka shënuar katër gola dhe ka dhënë dy asistime. Këto numra janë kritikuar nga Neville, i cili thekson sidomos mjedisin e dëmshëm: "Kam thënë më parë që ky klub është një varrezë lojtarësh me reputacion të mirë.
Dhe ende është kështu. Kur këtë verë erdhën Yoro, De Ligt, Ugarte dhe Zirkzee, askush nuk mendonte se United nuk kishte marrë lojtarë."
