Mourinho, për karrierën e tij: Çdo ditë mësoj diçka të re, ja ku qëndron madhështia e një trajneri
"Jam rritur në çdo aspekt. Çdo ditë mësoj diçka të re dhe punoj vazhdimisht për t'u përmirësuar.
Dhe kjo nuk është thjesht një klishe," deklaroi José Mourinho, duke reflektuar mbi 20 vjet nga triumfi i tij i parë në Ligën e Kampionëve me Porton.
Pasi ka përjetuar eksperienca në të gjithë Evropën, përfshirë periudhat në Itali si trajner i Interit dhe Romës, Mourinho kujton suksese si ‘tripletën’ historike me Interin dhe fitoren e Ligës së Konferencës me Romën.
Megjithatë, ai pranoi se kishte një peng: humbjen në Budapest kundër Sevillas në finalen e Ligës së Evropës dhe faktin që nuk u largua nga Roma në atë moment, një cikël që përfundoi në mënyrën më të keqe me shkarkimin e tij vitin e kaluar.
Mourinho foli gjithashtu për madhështinë e një trajneri dhe burimin e saj:
"Madhështia e një trajneri qëndron në rezultatet, jo në filozofinë. Në njerëzillëk, jo në egocentrizëm. Në guxim, jo në vetëmbrojtje. Në ndershmëri, jo në marrëdhënie interesash.
Në harmoninë me brezin e ri të kolegëve. Në aftësinë për të fjetur mirë natën, sepse e di që ka qenë gjithmonë intelektualisht i pavarur dhe i drejtë."
Duke folur për rivalitetin e tij të gjatë me Pep Guardiolën, Mourinho pranoi se kriza e Manchester City nuk ndryshon asgjë dhe shtoi:
“Vetëm Pep mund të flasë me kompetencë për situatën e tij. Gjithçka tjetër janë banalitete dhe sipërfaqësi."