Rama: Nuk tërhiqem! ‘Tik Tok’ do të mbyllet brenda 6-8 javësh. Për vrasjet e Egli Progës dhe Martin Canit media gënjeu!
Kryeministri Edi Rama injoron çdo sugjerim por vendos me kokën e tij për çdo vendim.
Gjatë takimit të fundvitit me gazetarët, Rama konfirmoi se nuk tërhiqet nga vendimi për të mbyllur “Tik-Tok-un” në vendin tonë.
Kreu i qeverisë nuk dëgjon sugjerimet për vendosjen e filtrave ndaj Tik Tok, njësoj siç veprojnë shumë shtete të Bashkimit Europian, por Rama vazhdon me “kokëfortësi” vendimet e tij radikale.
“Nuk tërhiqemi nga vendimi për ta mbyllur ‘Tik Tok’-un në Shqipëri. Na duhen 6-8 javë sepse teknologjikisht është shumë e rëndësishme kjo kohë për të mbyllur këtë rrjet social”, tha shkurtimisht Rama.
Ndërkohë opozita e ka kundërshtuar vendimin për mbylljen e ‘Tik Tok’ të cilën e konsideron si mungesë lirie dhe “shtypje” të “mediave sociale” në vendin tonë.
VRASJET
Kryeministri ka arritur që të zbardhë dy ngjarje të komplikuara kriminale, ashtu siç është rasti i Egli Progës dhe Martin Canit.
Në këto krime media me transparencë përcolli çdo dëshmi apo tentativë të policisë dhe organeve të tjera për të manipuluar dhe fshehur autorët.
Por Rama pretendon se ai ka zbardhur këto dy vrasje të cilat i etiketoi si “spektakël”.
“Mbyllim vitin me numrin më të ulët të vrasjeve. E kemi nisur me një vrasje në 3 ditë kur morëm detyrën dhe kemi ardhur duke e ulur, por jeta mediatike dhe politike kanë nevojë për të vrarë dhe spektakël. Këtë vit ka pasur dy spektakle që për nga intensiteti dhe manipulimi i publikut kanë qenë për t’u lavdëruar. Por, në raport me të vërtetën u tregua se si gënjehet publiku. Spektakli i pas vrasjes në Pogradec, që u karakterizua nga sajesa pas sajesash në aspektin e integritetit të shërbimit ndaj publikut, duke nisur nga politikanët e pastaj o burra kush flet më shumë në drejtim të gabuar. Spektakli tjetër, edhe më i shëmtuar, ka qenë ai me 14-vjeçarin. U sajuan vrasës të tjerë, u sajuan edhe thika të tjera, u treguan versione kriminale. Unë e quaj kriminale që në kushtet e atyre emocioneve për humbjen e një jete aq të re, ti të furnizosh publikun me helm. T’i thuash publikut që policia ka fshehur një vrasës tjetër, që vrasësi tjetër është djali i një hetuesi të BKH-së dhe për këtë arsye e kanë fshehur. Ky është krim moral. Bëhet fjalë për dy raste, dy të vdekur që u rivranë disa herë”, tha Rama.

