Mesazhi i trajnerit Slot: E vështirë të përballesh me skuadrat e Ruud van Nistelrooyt

Trajneri i Liverpool-it, Arne Slot, ka publikuar një mesazh të gjatë në kanalet zyrtare të “The Reds” për të bërë një vlerësim të kësaj pjese të parë të sezonit:

"Jemi ende në pjesën e parë të sezonit," tha ai në hyrje, "por po i afrohemi momentit kur të gjitha ekipet do të kenë luajtur gjysmën e ndeshjeve të tyre dhe atëherë do të kemi një ide më të qartë se ku ndodhemi të gjithë.

Prandaj gjithmonë kam thënë që vlerësimet para kësaj faze nuk janë një përfaqësim i vërtetë.

Vetëm kur çdo skuadër të ketë luajtur kundër njëra-tjetrës dhe episodet të jenë balancuar, do të fillojmë të kuptojmë më mirë se si po ecim të gjithë."

"Për këtë arsye dhe për shumë arsye të tjera, dua ta mbyll këtë pjesë të parë të sezonit në mënyrën më të fuqishme të mundshme.

Nuk do të ndahen çmime gjatë kësaj periudhe, por, ashtu si në fazën e grupeve të Champions League, sa më gjatë të qëndrosh në pozitat e kreut, aq më e fortë do të jetë ideja që mund të ndërtosh dhe të ecësh përpara."

"Sigurisht, nuk jam aq naiv sa të besoj që klubet e tjera nuk kanë pikërisht të njëjtin objektiv, pavarësisht se ku ndodhen në renditje.

Leicester-i do ta shohë këtë periudhë si një mundësi për t’u ngjitur në klasifikim dhe për këtë arsye do të vijë në Anfield duke u përpjekur të na e bëjë jetën sa më të vështirë.

E di gjithashtu nga përvoja sa e vështirë mund të jetë të luash kundër skuadrave të Ruud van Nistelrooy-t dhe pritshmëria ime është që Leicester-i do të fillojë të luajë gjithnjë e më shumë në imazhin e tij, sa më gjatë të punojë me të.

Kjo e shton sfidën me të cilën do të përballemi, por, ashtu si çdo sfidë tjetër që kemi përballuar tashmë këtë sezon, duhet ta presim me padurim," përfundoi trajneri.