Kallas: Dokumenti i partneritetit, investim në sigurinë tonë të përbashkët

Në Bruksel, u nënshkrua sot marrëveshja e partneritetit të sigurisë dhe mbrojtjes mes Shqipërisë dhe Bashkimi Evropian, duke zyrtarizuar bashkëpunimin e zgjeruar në fusha të ndryshme të sigurisë dhe mbrojtjes.

Dokumenti i partneritetit me Bashkimin Europian, u nënshkrua mes Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas dhe ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, dhe ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vëngu, në praninë e kryeministrit Edi Rama.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, në fjalën e saj theksoi se kjo marrëveshje tregon se Shqipëria do të jetë pjesë e të gjitha këtyre tavolinave të rëndësishme ku do të diskutojmë për sigurinë dhe mbrojtjen e Europës.

“Është vërtet e shkëlqyer të fillojmë këtë samit të Ballkanit Perëndimor me këtë ceremoni nënshkrimi. Ne tashmë i kemi mbështetur forcat e armatosura të Shqipërisë drejtpërdrejt dhe të dyja palët tona dëshirojmë të bëjmë më shumë, kështu që kjo marrëveshje tregon se ne do të bëjmë më shumë së bashku. Tregon qartë investim në sigurinë tonë të përbashkët. Tregon që Shqipëria do të jetë pjesë e të gjitha këtyre tavolinave të rëndësishme ku do të diskutojmë për sigurinë dhe mbrojtjen e Europës. Na lejon gjithashtu të zgjerojmë bashkëpunimin tonë, si në Europë, ashtu edhe në Ballkanin Perëndimor”, u shpreh ajo.

Kallas më tej, vuri në dukje se Shqipëria ka bërë përparim të konsiderueshëm në procesin e anëtarësimit.

“Shqipëria ka bërë përparim të konsiderueshëm në procesin e anëtarësimit. Jam e lumtur që do të diskutojmë këtë dhe më tej në takimet e ditës së sotme. Kështu që mirë se vini dhe mezi pres për bashkëpunimin tonë të ardhshëm”, deklaroi Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kallas.

Ky partneritet strategjik do të forcojë përpjekjet e Shqipërisë për të luftuar kërcënimet hibride dhe kibernetike, ekstremizmin dhe do të rrisë më tej aftësitë e vendit tonë për sigurinë dhe mbrojtjen, duke kontribuar për një Europë më të sigurt dhe më të qëndrueshme.