Hasani e Vengu në misionin e Shqipërisë në NATO: Vlerë e shtuar, udhërrëfyes për praktikat e mira që duhet të ndjekim
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani dhe ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, morën pjesë sot bashkë me kryeministrin Rama dhe ambasadorin e Shqipërisë në NATO, Ilir Gjoni, në një takim me stafin ushtarak dhe civil të Shqipërisë që punojnë në NATO.
Ministri Hasani u shpreh se “është e rëndësishme që punohet me njerëz që vijnë jo vetëm nga një vend i NATO-s, por edhe si njerëz me kontribute të mëdha, me mundësi për të bërë shumë më tepër.
E rëndësishme është që të mos të lihet gjëja si pjesë e rutinës, por të ndryshohet sa më shumë që të jetë e mundur”.
Nga ana e tij, ministri Vengu tha se “ky vit ka qenë intensiv, ku kemi parë personelin tonë civil dhe ushtarak të funksionojnë në sintoni, por vlera e shtuar vjen nga fakti që kemi shumë personel, staf ndërkombëtar, të cilët janë edhe udhërrëfyes për praktikat e mira që duhet të ndjekim.
Prandaj, gjykuam që bashkë me Kryeministrin, ministrin Hasani dhe ambasadorin të bënim një takim të gjithë bashkë, si shqiptarë.
Qoftë 2025-a një vit po kaq i mbarë për mbrojtjen dhe sigurinë tonë”, e mbylli fjalën e tij, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu.
