Shtyhet seanca e parë paraprake për Asllan Dogjanin, ja për çfarë akuzohet deputeti i PD-së
Nga Edison Vatnikaj Përditësimi i fundit 17 Dhjetor 2024, 15:05
Shtyhet seanca e parë paraprake për deputetin demokrat Asllan Dogjani.
Shkak për shtyrjen u bë mungesa e deputetit të Partisë Demokratike, i cili kërkoi shtyrje për shkak të gjendjes shëndetësore.
Seanca u la për javën tjetër.
Dogjani akuzohet nga SPAK për “refuzim për deklarimin, mosdeklarimin, fshehje ose deklarim i rremë i pasurisë” lidhur me një apartament rreth 100 metër katrorë, për të cilin kishte deklaruar se e kishte fituar si rezultat i këshillimit juridik.
Në fakt nga hetimet rezultoi, se Dogjani e bleu apartamentin rreth 122 mijë euro, vlerë të cilën e pagoi cash.
Në seancën e kësaj të marte pritej kalimi i dosjes ose jo për gjykim.
