“Vendimet detyruese të GJK-së duhet të zbatohen”/ Miratohen konkluzionet e zgjerimit për Shqipërinë, Këshilli i BE: Duhet dialog politik

Këshilli i Bashkimit Evropian ka miratuar konkluzionet e zgjerimit për Shqipërinë, ku vlerësohet puna e bërë deri tani, por kërkohet dialog politik për qëllim përparimin e reformave.

Këshilli gjithashtu thekson se mirëpret avancimin e procesit të vetingut dhe inkurajon Shqipërinë që të përfundojë të gjithë procesin në kohën e duhur.

Po ashtu, Këshilli rithekson se vendimet detyruese të Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen plotësisht dhe zbatuar.

“Këshilli vlerëson objektivin e qeverisë për të vazhduar përparimet e Shqipërisë në rrugën e saj drejt BE-së, inkurajon të gjitha forcat politike të ndjekin planin e tyre ambicioz për mbylljen e anëtarësimit dhe pret që të jetë në gjendje të hapë grupe të mëtejshme negociuese sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhet në dokument.

Këshilli vë në dukje se polarizimi politik vazhdon të ndikojë në aktivitetet e parlamentit, ndërsa rikujton se “dialogu politik gjithëpërfshirës dhe konstruktiv në vend mbetet vendimtare për përparimin në reformat në lidhje me BE-në”.

Teksa vlerëson pozitivisht zbatimin e reformës në drejtësi, Këshilli thekson se kjo reformë duhet të konsolidohet duke ofruar përmirësime të mëtejshme, paanshmëri dhe profesionalizëm.