Sfida e Kodimit vijon rrugëtimin në Malësinë e Madhe

Në Malësinë e Madhe u zhvillua me sukses konkurrimi i radhës, i njohur si “Sfida e Kodimit”, ku morën pjesë nxënës nga tetë shkolla të këtij rajoni.

Fituese e këtij edicioni ishte shkolla “Muhamet Hasmuja”, në Grishaj.

Nxënëset fituese me mbështetjen e mësuesve koordinatorë të projektit, kishin realizuar përmes pajisjeve “micro:bit” programe për sinjalistikën rrugore dhe kursimin e energjisë që më pas do të përdorej për ndriçimin e rrugëve dhe lagjeve të fshatit të tyre, Grishaj në zonën e Kelmendit.

Znj. Emarilda Leti, koordinatore e projektit theksoi se, programi “Rrugë alternative” synon fuqizimin e të rinjve përmes aftësive digjitale, si dhe nxitjen e bashkëpunimit mes grupeve rinore, duke krijuar mundësi për shkëmbimin e ideve, ndërtimin e rrjeteve dhe aktivizimin e të rinjve për një të ardhme më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.

Nënkryetari i Bashkisë së Malësisë së Madhe, z. Sutki Ndrecaj falënderoi Këshillin Britanik, institucionet arsimore dhe Bashkinë e Malësisë së Madhe, për mbështetjen që po ju ofrojnë shkollave dhe të rinjve të zonës, për t’u angazhuar në projekte me ndikim në jetën e komunitetit.

Në aktivitetin e shkollave të Malësisë së Madhe morën pjesë rreth 80 nxënës, të cilët prezantuan projektet e tyre përpara publikut dhe jurisë. Gjatë këtij eventi u evidentua rëndësia e përgatitjes së të rinjve për tregun e punës përmes teknologjisë dhe inovacionit.

Sfida e kodimit do te vijoji rrugetimin ne qytetin e Kukesit.

Sfida e Kodimit vijon rrugëtimin në Malësinë e Madhe