Mero Baze: Të hetohet Veliaj nga SPAK-u, meriton burgun
Gazetari Mero Baze ka kërkuar të hetohet kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj në një editorial për kontrollet e sotme të BKH-së.
Në editorialin e tij, Mero Baze thekson se Veliajn nuk po e heton Sali Berisha dhe nuk është fitore e tij. Ky është një lajm i mirë për të gjithë sepse dhe Mero më në fund e kuptoi që e heton SPAK-u dhe Erion Veliaj po shkon drejt burgut.
Si media e financuar nga vëllai i Erion Veliajt, të cilit i di edhe vendodhjen, Mero po tregon se Lali Eri ka marrë rrugën e drejtësisë. Asnjë socialist ish-mercenar i Berishës dje dhe sot i Ramës nuk do e mbrojë Veliajn nga burgu.
Ndoshta do e shijojnë shume pasi e kanë rrjepur. Si dalin më dot as për zot. Kjo përpjekje për të kërkuar gjilpërën në kashtë si e si të virgjërojë Erionin është pedofilike.
Mero e ka djalin drejtor tek Erion Veliaj dhe ky shkrim më poshtë është një përpjekje pedofilike e pavlerë. Sa është lodhur Mero ziu për ta sajuar këtë shkrim, i lexohet qartë mes rreshtash.
Editoriali i plotë i Mero Bazes:
Tri ditë pasi Sali Berisha sulmoi kot prokurorin Olsi Dado si “shërbëtor i krimit” – çka u detyrua ta përgënjeshtrojë një ditë më pas – prokurori ka urdhëruar një kontroll personal dhe të banesës për Ajola Xoxën, gruan e Erion Veliajt, dhe për vëllain e tij, Arbër Veliajn, i cili gjendet jashtë Shqipërisë.
Natyrisht që SPAK ka axhendën e vet dhe nuk hyj tek ata që besojnë se SPAK-ut ia dikton axhendën politike Sali Berisha, duke e kompleksuar dhe duke e akuzuar publikisht.
Por vetë Sali Berisha këmbëngul për këtë. Kontrollin e sotëm, të urdhëruar nga SPAK, ai e shpalli si fitore të presionit politik të Belind Këlliçit para Bashkisë dhe të presionit të protestave të tij.
Erion Veliaj ka dy vite nën hetim. Është hetuar për inceneratorin e Tiranës, për qindra leje ndërtimi, për drejtorë të korruptuar etj. Nuk ka ende një hetim penal ndaj tij, por ka nisur një hetim pasuror për rrethin familjar. Askush nuk ka të drejtë të paragjykojë punën e SPAK në këtë drejtim dhe ata duhen mbështetur për të çuar përpara hetimet në çdo drejtim, jashtë axhendës politike.
Por në rastin e Veliajt, ka një zell të papërmbajtur nga shumë aktorë politikë në vend, jo vetëm nga opozita, që të bëjnë tifozllëk për hetimin e tij. Rasti i sotëm, ku Sali Berisha shpall se SPAK ka urdhëruar kontroll për shkak të protestave të tij, është një ilustrim i përpjekjeve për ta futur hetimin ndaj Veliajt në axhendë politike, si kompensim për hetimet ndaj Berishës, djalit të tij dhe Ilir Metës.
Kjo përpjekje për ta vizatuar SPAK-un si institucion me axhendë politike dhe me politikë penale që kujdeset në kompensimin politik, duke balancuar sa dëmton majtas e sa dëmton djathtas, është një nga sulmet më të pështira ndaj SPAK.
Nëse vërtet doni të hetohet Erion Veliaj, lëreni të lirë ta hetojë SPAK-u, sepse nëse e fusni hetimin ndaj Veliajt në një axhendë politike – dhe aq më keq nëse e konsideroni si vepër të Berishës – Erion Veliajn vetëm sa e nderoni, edhe nëse e dënoni.
Për Veliajn dhe këdo politikan tjetër, hetimi politik u bën nder. Ata mund të ndihen keq nëse drejtësia vepron pa axhendë politike dhe pa presion për t’i hetuar dhe për t’i kapur në shkelje të ligjit, por nëse akuzat që shqiptohen në mitingjet e Berishës lexohen pastaj si akuza të SPAK, thjesht politizoni hetimet dhe dëmtoni drejtësinë.
Mbi të gjitha, Sali Berisha duhet të na shpjegojë tani, se nga i merr urdhrat SPAK-u. Sepse deri dje na thoshte se i merr nga Edi Rama. Sot na zbuloi se i merrka nga ai dhe Belind Këlliçi. Të paktën ta ndajë mendjen, sepse ka ende disa dosje nëpër këmbë: dy-tre të vetat, dy-tre të djalit, pa llogaritur gratë e shtëpisë.
Dhe meqë jemi tek kompensimi politik, dënimi i Berishës, djalit të Berishës dhe vajzës së Berishës për korrupsion madhor, siç i kanë dizajnuar SHBA dhe Britania e Madhe, është baraz me dënimin e të gjithë zyrtarëve socialistë në pushtet, jo vetëm si cilësi korrupsioni, por edhe si sasi. Dhe arsyeja është e thjeshtë.
Në kohën e pushtetit të Berishës, korrupsioni ishte një licencë monopol vetëm për djalin dhe vajzën me firmën e babait.
Këta socialistët e kanë demokratizuar edhe korrupsionin, ndaj kanë shtuar shumë ata që shkojnë në burg. Por të gjithë ata bashkë, sa vajza dhe djali i tij, nuk kanë vjedhur. /CNA.al



