"Në Shqipëri ndikimi rus është pothuajse minimal", Kapri: Tentativë e kryeministrit për të gjetur një shteg që të kontrolloj median...
Qeveria ka shtuar dozën e alarmit për rrezikun e përdorimit të kërcënimeve ruse.
Në mbledhjen e sotme të komisionit të dezinformimit, e shqetësuar për ndikimin e medieve sociale mazhoranca edhe njëherë foli për rrezikun që vjen nga lajmet e rreme, të financuara apo të frymëzuara nga vende si Rusia, Serbia apo Irani.
Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, i quajti kërcënimet hibride si sfidë serioze për sigurinë kombëtare dhe rendin demokratik, e në përforcim të këtij qëndrimi, Kryetari i Komisionit të Dezinformimit, Erion Braçe që në qoftë se nuk adresohen boshllëqet ligjore për dezinformimin në internet, ndikimi mund të prek edhe zgjedhjet dhe të shkaktojë probleme me financimin e fushatës elektorale.
Asociacioni i gazetarëve të shqipërisë, i alarmuar mbi kërkesën e deputetit socialist, i quajti kërkesat e tij ndaj prokurorisë tronditëse dhe që tregojnë qartë se komisioni i ashtëquajtur kundër dezinformimit është një mjet që do të përdoret kundër mediave.
I ftuar në emisionin "Ora e Betit", në "Ora News", ishte studiuesi Erald Kapri, i cili u shpreh se në Shqipëri ndikimi Rus është pothuajse minimal.
"Nuk janë fjalë të bukura. Është një tentativë e kryeministrit për të gjetur një shteg që të kontrolloj median. Kjo pjesa e Komisionit për dezinformimin është pothuajse një kërkesë e ardhur brenda bashkësisë së NATO-s pas konflikit Rusi-Ukrainë sepse gjithë vendet e perëndimit kishin shqetësim se Rusët do tentonin kudo me financime e dezinformime për të ndikuar për interesat e tyre. Pra, e kanë bërë në të gjitha vendet për të parë nëse ka elementë të tillë që të ndërhyjnë më pas. Shqipëria është në cep fare, sepse ka raporte që tregojnë që ndikimi Rus është pothuajse minimal. Ky komision ka vetëm këtë mision", u shpreh Kapri.
