28 nëntori festohet në Sllovaki, Ambasadori shqiptar Arten Hanku, organizim në Bratisllavë për festat e flamurit
Në ambjentet e Pallatit Primacialny në qendër të Bratislavës, u zhvillua aktiviteti i Festës Kombëtare dhe Festës së Çlirimit të atdheut organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë dhe Ambasadori Arten Hanku, me pjesëmarrjen e personaliteteve nga jeta politike, diplomatike, akademike dhe artistike, si dhe komuniteti shqiptar që jeton në Sllovaki.
Aktiviteti përveç anës protokollare pati edhe anën artistike me performancën e Solistëve nga Teatri Kombëtar i Operës së Pragës, Michaela Zajmi mezzosoprano dhe Bledar Zajmi violinçellist.
Gjithashtu u shfaq një kolazh me video dhe foto për promovimin e turizmit ne Shqipëri. Në fund në Pritjen Bufe të rastit, pjesëmarrësit shijuan specialitete të kuzhinës shqiptare ofruar nga Restorant Narbon në qendër të Bratislavës me pronarë shqiptarë.
Kjo ditë e shënuar bëri bashkë dhe komunitetin shqiptar që jeton dhe punon atje per festën e flamurit.
Një pritje e veçante teksa ambjenti ishte e mbushur me simbolet dhe ngjyrat e vendit tonë.
Nuk munguan dhe veshjet tradicionale shqiptare.
Në të njëjtën formë dita e pavarësisë u festua në vende të ndryshme të botës ku ka përfaqësi shqiptare.
