1.3-1.5% e popullatës botërore të Pelikanit Kaçurrel është regjistruar në Parkun Kombëtar ''Divjakë-Karavasta''
255 pelikanë kaçurrelë (Pelecanus crispus), që përbëjnë 1,3-1,5% të popullatës botërore të këtij shpendi të rrallë janë regjistruar në Parkun Kombëtar “Divjakë-Karavasta”,
Ky numër, ndër më të lartët e regjistruar ndonjëherë në këtë park, tregon rëndësinë e tij si një nga habitatet kryesore të pelikanit kaçurrel në botë.
Megjithatë, rekordi për numrin më të lartë mbahet nga data 11 dhjetor 2017, kur u regjistruan plot 330 individë në lagunën e Karavastasë.
Të dhënat janë siguruar nga Censi Dimëror i pelikanit kaçurrel, organizuar nga Specialistët e Administratës së Zonave të Mbrojtura në Fier, në bashkëpunim edhe me ekspertë të Shoqatës Ornitologjike e Shqipërisë (AOS)
Shumica dërrmuese e pelikanëve, 199 ose 78% e totalit, u vrojtuan në lagunën e Karavastasë, ku ishin mbledhur kryesisht pranë kanaleve që lidhin lagunën me detin.
Midis tyre ishin edhe pesë pelikanë të rinj të çelur në vitin 2024, të quajtur Adriatiku, Arnisa, Artiri, Godulla dhe Bazhorri, të pajisur me gjurmues satelitor.
Pasi shëtitën nëpër Shqipëri, Mal të Zi dhe Greqi, këta pesë individë janë kthyer në habitatin e tyre të lindjes, ku po gjejnë ushqim të bollshëm dhe kushte të favorshme.
Përveç lagunës së Karavastasë, numërimi u shtri edhe në të gjithë Shqipërinë perëndimore, me pjesëmarrjen e agjencive të zonave të mbrojtura nga Shkodra, Vlora, Lezha, Durrësi dhe Berati.
Sipas ekspertëve të AOS, kjo shifër është premtuese për sezonin e ri të folezimit që pritet të nisë këtë dimër, duke reflektuar një mjedis të shëndetshëm për këtë shpend të rrallë dhe të kërcënuar globalisht.
Pelikani kaçurrel është një ndër llojet më të mëdha të shpendëve fluturues dhe laguna e Karavastasë është habitat kyç për mbijetesën e tij. Përtej shifrave dhe statistikave, prania e tyre është një tregues i rëndësishëm i ruajtjes së biodiversitetit dhe suksesit të përpjekjeve për mbrojtjen e natyrës në Shqipëri.
