Tabaku: Kthimi i këstit të tatimfitimit të profesionistëve të lirë, i vonuar

Deputetja e Partisë Demokratike, njëkohësisht nënkryetare e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, përshëndeti sot vendimin e qeverisë për kthimin e këstit të tatimfitimit që u parapagua nga profesionistët e lirë gjatë gjysmës së parë të këtij viti, por e cilësoi si të vonuar.

Duke folur në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, gjatë diskutimeve për projektbuxhetin për vitin 2025, ku i pranishëm ishte edhe ministri i Financave, Petrit Malaj, Tabaku u shpreh se kësti i parapaguar i tatimfitimit nga profesionistët e lirë duhet të ishte kthyer që në momentin kur doli vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Sipas saj, zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për kthimin e këstit të tatimfitimit të gjithë atyre që e paguan si parapagesë duhet të kishte ndodhur me kohë.

“Dëgjova që qeveria është tërhequr nga vendimi absurd për të mbajtur paratë e profesionistëve të lirë, të cilët duhet të ishin paguar që kur doli vendimi i Gjykatës Kushtetuese. E kuptuat se zgjatja e periudhës kohore me dërgimin e një letre në Gjykatën Kushtetuese që nuk e kishit të qartë vendimin dhe mbajtja e këtij vendimi për kohë të gjatë në qeveri, ishte absurd. Por në fund e kuptuat edhe ju”, deklaroi Tabaku.

Këshilli i Ministrave miratoi sot aktin normativ për kthimin e këstit të tatimfitimit të paguar nga profesionistët e lirë. Fondi i vënë në dispozicion për kthimin e këstit është 501 milionë lekë. Nga ky akt normativ përfitojnë 6450 tatimpagues. Njëkohësisht përmes këtij akti, janë shuar dhe detyrimet e vendosura gjatë kohës që ligji ishte në fuqi.

Pas një padie të dorëzuar nga PD, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi më 27 qershor pjesërisht disa nene të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, që detyronin profesionistët e lirë të futeshin në skemën e tatimfitimit me normë 15%.

Më herët, PD kishte dorëzuar një ligj përmes së cilit kërkohej kthimi i këtij kësti te profesionistët e lirë. Tabaku u shpreh se me miratimin e vendimit nga qeveria, ky propozim ligjor bie.