Menaxhimi dhe operimi i sistemit hekurudhor nga dy shoqëri aksionere
Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, shqyrtoi dhe miratoi projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.90/2021, “Për ndarjen e shoqërisë “Hekurudha Shqiptare, sh.a.””.
Zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkeleda Muça prezantoi pr/ligjin, teksa bëri një përmbledhje të nevojës së sjelljes së ndryshimeve dhe risive të parashikuara, duke theksuar se projektligji do të mundësojë ndarjen e menaxhimit nga operimi në sektorin hekurudhor.
Muça sqaroi se nga miratimi dhe hyrja në fuqi e ligjit nr.90/2021, nuk është realizuar ndarja e parashikuar në katër shoqëri pritëse, sh.a., për shkak të kostove, mungesës së burimeve njerëzore dhe ekspertëve, etj.
Ajo nënvizoi se në përputhje me Kodin Hekurudhor dhe me Direktivën 2012/34/BE, e cila kërkon ndarjen ndërmjet administruesit të infrastrukturës dhe sipërmarrësit hekurudhor, është parashikuar që të bëhet ndarja e “Hekurudhës Shqiptare”, sh.a., në vetëm dy shoqëri aksionere.
Muça theksoi se ndryshimi nuk parashikon kosto shtesë buxhetore dhe fondi do të jetë aq sa është parashikuar 500 milionë lekë në vit.
Deputeti Eduard Ndreca në cilësinë e relatorit bëri një përmbledhje të projekt-aktit dhe duke vlerësuar kushtetutshmërinë e tij, ftoi kolegët ta miratojnë.
