Qytetarët protestojnë sërish për vrasjen e 14-vjeçarit, Martin Cani: Është dhimbja e çdo familjeje shqiptare

Prindër, të rinj, shoqëria civile u mblodhën sot në protestën e dytë duke kërkuar drejtësi për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani, jashtë ambienteve të shkollës “Fan Noli” në Tiranë nga një bashkëmoshatar i tij.

Protestuesit janë mbledhur sërish para Ministrisë së Arsimit, ndërsa në kangjellat e saj kanë vendosur një pankartë me mbishkrimin “Institucionet e papërgjegjshme vrasin”.

Ata kërkojnë dorëheqjen e ministres Manastirliu dhe plotësimin e kushteve për rritjen e sigurisë në shkolla.

Një prind i bëri thirrje organeve të hetimit që të bëjnë hetim të pavarur dhe transparent mbi ngjarjen si e vetmja mënyrë që të ngushëllohet familja e Martinit. “I bëj thirrje qeverisë dhe ministres së Arsimit se duhet që ngjarja të jetë alarm për ta kthyer problematikën në emergjencë kombëtare”.

“Nuk mund të presim një tjetër rast dhe humbje jete tek fëmijët tanë, duhet një strukturë nga disa institucione edhe prindër, të cilët analizojnë një plan si duhet të parandalohet dhe çfarë strukture të vijë në ndihmë për parandalimin e ngjarjeve e tilla. Nuk duhet që rojet të paguhen akoma me lekët e prindërve, të përcaktohen oficerë të sigurisë, të parandalohen situata të tilla dhe të shikohet detyra dhe roli i oficerit të sigurisë. Të ketë më shumë psikologë në shkollat tona. Nuk mund te harxhojmë më shumë lekë për të burgosurit se sa për arsimin dhe edukimin e fëmijëve tanë”, tha ai.

Kërkesat e shoqërisë civile janë:

-Plotësimi e 100 % të shkollave me psikolog, një psikolog për 200 nxënës.

-Qëndrimi i nxënësve në hapësirat e shkollës deri në orën 16:00 duke iu afruar programe ushqimi dhe mundësie të bërjes së detyrave në shkollë.

-Zbatimi i rregullave për heqjen e telefonave në orarin e mësimit duke sanksionuar ata që nuk zbatojnë rregullat.

-Monitorimin e rreptë të platformave audiovizuale e digitale, nga autoritetet që dukshëm shërbejnë vetëm për marrjen e rrogës. AMA, AKEP.

-Për të siguruar bllokimin e përmbajtjen jo etike të dhunshme si në hapësirën digitale e publike.

-Caktimi në çdo shkollë i një oficeri sigurie duke rishikuar detyrat dhe rolin e tyre.

-Krijimi i një sistemi raportimi efektiv të rasteve ku ndërlidhen institucionet përgjegjëse e komuniteti i prindërve.

Në 18 tetor në afërsi të shkollës “Fan Noli”, një 14-vjeçar për motive të dobëta është konfliktuar me dy bashkëmoshatarët e tij dhe gjatë konfliktit i ka goditur ata me mjet prerës. Gjatë konfliktit janë dëmtuar të 3 të miturit. Si pasojë e plagëve të marra një nga 14-vjeçarët, Martin Cani ka ndërruar jetë në spital.