Berisha: Përshëndes sot të gjithë ata qindra shqiptarë që protestuan dje në Angli
Kryetari i partisë Demokratike Sali Berisha, po mban një komunikim me mediat.
Në fjalën e tij, Berisha foli mes të tjerash edhe në lidhje me protestën e ndodhur ditën e djeshme në Londër, ku disa shqiptarë ishin mbledhur para sallës ku po mbahej takimi dhe protestuan kundër Ramës.
Disa prej tyre madje kishin arritur të futeshin edhe në sallë dhe ndërprenë disa herë fjalimin e kryeministrit Edi Rama.
FJALA E BERISHËS
Mirëdita dhe përshëndetje gazetarëve të pranishëm në sallë dhe të gjithë qytetarëve që ndjekin këtë takim me shtypin. Së pari dua të shpreh mirënjohje të pakufishme ndaj bashkëatdhetarëve tanë në Londër, të cilët me një kurajo dhe përgjegjësi të lartë qytetare, i dëshmuan Londrës, Britanisë së Madhe dhe mbarë kombit shqiptar se Edi Rama ishte jo vetëm i padëshirueshëm me suitën e tij elektorale në Londër, por ai u soll aty tipikisht si një narkodiktator.
Rojet dhe badigardët e tij ndërmorën aktet brutale të dhunshme, thyen kafka, plagosën, zvarritën demonstrues paqësorë vetëm e vetëm se ata me guxim kërkuan nga Edi Rama të largohej.
Denoncuan vjedhësit, hajdutin kryesor të kombit si të tillë dhe suitën e tij.
Unë përshëndes sot të gjitha ata qindra shqiptarë, ata dhjetëra e dhjetëra guerrilas të demokracisë që protestuan dje kundër narkodiktatorit Edi Rama.
I uroj të shpejtë Ilir Meshit dhe të gjithë demonstruesve paqësorë të lënduar nga banditë të paguar, badigardë, anëtarë të bandave kriminale që shoqëronin Edi Ramën në atë takim.
U bëj thirrje emigrantëve shqiptarë, të gjithë shqiptarëve jashtë vendit të ndëshkojnë Edi Ramën më votën e tyre.
Të demonstrojnë fuqishëm ndaj çdo paraqitje të tij elektorale.
Aktet e dhunshme ndaj atyre që ky i ka përzënë nga Shqipëria, përbënin një krim dy herë më të shëmtuar.
Një kryeministër me zero tolerancë ndaj kundërshtimit dhe kundërshtive është një narkodiktator i shëmtuar dhe meriton të kundërshtohet dhe vetëm të kundërshtohet.
Edhe njëherë, mirënjohjen më të madhe atyre që organizuan, atyre që morën pjesën dhe atyre që nga ajo sallë dëshmuan se Edi Rama ishte aty me banditë, kriminelë, njerëz pa kod dhe moral.
Për herë të parë, një kryeministër thyen kocka të kundërshtarëve politikë në sallë për faktin e vetëm se ata ia përplasën në fytyrë ato që meritonte.
Të dashur miq.
Unë jam këtu sot gjithashtu për të denoncuar në emër të PD me forcën më të madhe faktin se organizatat kriminale dhe narkoshteti së bashku po bëjnë gjithçka kundër legjitimitetit të regjistrimeve të telefonatave të kriptuar.
Ju drejtohem sot për të shprehur shqetësimin tim më të thelle në lidhje me përpjekjet për të vënë në pikëpyetje ligjshmërinë dhe efektivitetin e masave të përgjimit nga organet ligjzbatuese të vendeve partnere në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar, veçanërisht në kontekstin e regjistrimeve me Sky ECC, Encrochat.
Përdorimi i të dhënave të përgjimit me telefonat e kriptuar ka rezultuar një faktor vendimtar në shumë vende të BE-së – përfshirë Gjermaninë, Francën, Belgjikën dhe Holandën – në luftën kundër krimit të organizuar.
Këto masa jo vetëm që kanë ndihmuar në zbardhjen e rrjeteve kriminale, por gjithashtu kanë parandaluar një numër të madh krimesh. Njohja e këtyre provave përputhet me rregullat ligjore në fuqi dhe shërben për mbrojtjen e shoqërive nga krimi.
Nga hetimet e serverave të bisedave dhe mesazheve me Sky ECC, Encrochat etj, ka rezultuar se gjuha shqipe është gjuha e dytë më e përdorur në këto biseda të kriptuara dhe se nga 60 mijë aparate telefonike të kriptuara që ishin në përdorim, 15 mijë kanë qenë në përdorim nga shqiptarët.
Nga këto 8 mijë janë përdorur brenda në Shqipëri nga anëtarë të grupeve dhe organizatave kriminale, por edhe nga zyrtarë të lartë dhe drejtues të Policisë së Shtetit, prokurorë, gjykatës të të gjitha niveleve, zyrtarë të lartë të administratës, ministra.
Përqendrimi më i lartë i tyre prej 74 aparatesh është gjetur se ka qenë në ndërtesën e Këshillit të Ministrave dhe vetë kryeministri Edi Rama ka pasur në përdorim 2-3 prej tyre. Ai personalisht është akuzuar direkt nga partnerja e Charles McGonigal se bisedonin se bashku me Sky ECC.
Siç theksova me sipër, Sky ECC përdoret intensivisht në gjuhën shqipe dhe luan një rol qendror në rrjetet kriminale. Bisedat dhe mesazhet e regjistruara ne gjuhe shqipe të transkriptuara arrijnë në rreth pothuaj 1 milion faqe. Fakti që Tirana është një qendër kryesore për këto aktivitete – madje brenda ndërtesave qeveritare – thekson domosdoshmërinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe masave të rrepta ne administrimin e tyre. Prandaj Partia Demokratike ka kërkuar krijimin e një Truth Commission, Komisioni i të Vërtetës për të bërë transparencën e plotë të lidhjeve të politikës me krimin, që siç provojnë këto regjistrime, janë një sipërmarrje e përbashkët kriminale. Përkundrejt këtij qëndrimi, po bëhen përpjekja të papërmbajtura nga organizatat kriminale, qeveria dhe vetë prokuroria speciale për të minuar ligjshmërinë e këtyre dokumenteve të përgjimit në Shqipëri dhe t’i deligjitimojnë ato nëpërmjet Gjykate Kushtetuese.
Ndaj kësaj gjykate, organizatat kriminale kane vendosur shumë miliona euro, presione të mëdha po ushtrohen nga zyrtarë dhe qeveritarë që kanë përdorur telefonat e kodifikuar.
Së fundi, po në këtë linjë, vlerën e tyre ligjore e vuri në dyshim edhe kreu i prokurorisë speciale duke u shprehur se ka probleme midis legjislacionit francez (që i ka pranuar ato) dhe legjislacionit shqiptar, duke vetëkuptuar kështu paligjshmërinë e tyre në Shqipëri.
Kjo deklaratë e kryeprokurorit të prokurorisë speciale, Altin Dumani bëhet jo vetëm pasi gjykatat në Gjermani, Francë i kanë konsideruar dokumente ligjërisht të vlefshme, por edhe pasi Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut i njohu ato si ligjërisht të vlefshme.
Shtoj këtu se vendimet e kësaj gjykate prevalojnë mbi sistemin e drejtësisë së Shqipërisë, në përputhje me firmosjen që i ka bërë Shqipëria Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Këto përpjekje rrezikojnë jo vetëm luftën kundër organizatave kriminale të organeve të zbatimit të ligjit, por vënë në pikëpyetje gjithashtu integritetin e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Kjo është një mundësi për BE-në dhe shtetet e saj anëtare, përfshirë Gjermaninë, të mbajnë një qëndrim të qartë dhe të ushtrojnë presion ndaj autoriteteve shqiptare. Një veprim i përbashkët dhe vendimtar mund të sigurojë që këto masa të vazhdojnë të njihen ligjërisht dhe të jenë efektive ashtu si ç’ka vendosur së fundmi edhe GjNDNJ.
Mbrojtja e qytetarëve tanë nga krimi i organizuar duhet të jetë prioriteti kryesor dhe baza ligjore për përdorimin e masave të përgjimit nuk duhet në asnjë mënyrë të dobësohet nga bota e krimit. Së fundmi, nuk mund ta mbyll këtë ekspoze para jush pa dënuar me forcën më të madhe vendosjen e masave kufizuese ndaj gazetarit guximtar Elton Qyno, i cili në një shërbim të madh ndaj vendit ka demaskuar me guximin më të madh lidhjet e Edi Ramës me krimin.
Rrëmbimi i tij nga Altin Dumani është një nga ngjarjet më dramatike në historinë e Shqipërisë.
Grabitja e telefonave të tij për të shpëtuar Edi Ramën nga dokumente që e kompromentojnë atë në mënyrën më serioze, duke filluar nga udhëtimi i tij në Aruba tek dhuratat gjysmë milionë euro, etj, etj, përbëjnë një akt kriminal të vërtetë në mbrojtje të Edi Ramës.
Kërkoj heqjen e menjëhershme të masave ndaj gazetarit Elton Qyno.
Sikundër i shpreh atij solidaritetin tim më të plotë dhe të PD.
Ata që vendosën këto masa, ata kërkojnë të mbyllin kanalet e transparencës së medieve.
Vendosja e masave njëkohësisht ndaj Elton Qynos, gazetarit guximtar dhe trim, me Artan Hoxhën, anëtar i damkosur i bandës së Bajrit të partisë, i paguar nga bandat, por i mbrojtur nga Altin Dumani, gjer së fundmi u detyrua të vendosë një masë arresti shtëpie, ndërkohë që informoi publikun se dokumente zyrtare faktojnë se Artan Hoxha ka shkelmuar detyrën e gazetarit dhe është bërë anëtar aktiv, i paguar i bandës Bajri-Gjoka të partisë.
Nuk kanë asnjë lidhje këta dy gazetarë me njëri-tjetrin, lidhja qëndron në poshtërsinë e Altin Dumanit, që kërkon t’i paraqesë të inkriminuar së bashku.




