Vrau 14-vjeçarin/ Juristët: Mario Përlleshit mund t’i përgjysmohet dënimi nga 35 vite në 17 vjet e 6 muaj burgim

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani në shkollën “Fan Noli”, ka sjellë caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për autorin e këtij krimi, 14-vjeçarin tjetër, Mario Përlleshi.

Ndaj Mario Përlleshit, prokuroria e Tiranës ka ngritur akuzën e rëndë siç është “Vrasja në rrethana cilësuese” të kryer ndaj të miturit Martin Cani dhe “Vrasja në rrethana cilësuese” të mbetur në tentativë të kryer në dëm të shokut të klasës së viktimës Martin Cani, i cili vijon të qëndrojë i shtruar në spitalin Ushtarak.

Sipas gazetarit të “Ora News”, Elton Qyno me këto dy akuza të rënda, nëse autori i krimit do të ishte mbi 17 vjeç, automatikisht do dënohej me burgim të përjetshëm.

Por juristët thanë për “Ora News” se në rastin konkret nuk mund të aplikohet dënimi me burgim të përjetshëm, pasi dhe autori i krimit është i mitur, vetëm 14-vjeç. Ndaj masa e dënimit për të do variojë mes deklarimit fajtor dhe dënimit nga 20 deri në 35 vite burgim.

Juristët shprehen se duke parë agresivitetin e kryerjes së veprës penale nga 14-vjeçari Përlleshi dhe mos bashkëpunimin e tij, për të treguar vendin se ku e la thikën me të cilën kreu krimin, masa e dënimit mund të jetë në kufijtë e maksimales, deri në 35 vite burgim.

Por për shkak të moshës së mitur, legjislacioni penal Shqiptar, parashikon përgjysmimin e këtij dënimi, duke e çuar atë në nivelin përfundimtar me një dënim prej 17 vjet e 6 muaj burgim.