VIDEO/ Moti i keq përfshin Shkodrën, rrëshqitja e gurëve bllokon aksin Prekal-Kir, autoritetet apel qytetarëve

Moti i keq ka përfshirë qarkun e Shkodrës, teksa janë krijuar dhe problemet e para në infrastrukturë.

Kryebashkiaku Benet Beci njoftoi se moti i keq me erëra të forta dhe reshje shiu që ka shoqëruar territorin e Bashkisë Shkodër ka krijuar probleme ne segmentin rrugor Prekal-Kir.

"Rrëshqitje gurësh janë regjistruar edhe në një tjetër segment të lotit të dytë të rrugës Kir-Shosh, në vendin e quajtur Prroni i Çiverrit. Me përmirësimin e kushteve atmosferike, firmat që po kryejnë investimin do të ndërhyjnë për zhbllokimin e rrugës.

Në dy segmentet ku ka pasur rrëshqitje të masivit shkëmbor ndodhet një rrugë që është ende në proces ndërtimi, si pjesë e investimit për rrugën e Dukagjinit.

U bëj thirrje banorëve të zonës që të tregojnë kujdes gjatë ditës së sotme, ndërsa firmat po marrin masa për ndërhyrje të shpejtë me qëllim zhbllokimin e rrugës dhe vijimin e investimit", apelon kryebashkiaku Benet Beci.

Gjatë natës ka pasur rrëshqitje të mëdha të rrugës ç’ka ka sjellë bllokimin e saj për automjetet.

Bashkia Shkodër ka vënë në dijeni strukturat e emergjencave civile dhe firmën kontraktuese për menaxhimin e kësaj situate ndërkohë që i bën thirrje banorëve që të bëjnë kujdes në këtë segment rrugor.

Qarku i Shkodrës është përfshirë edhe nga reshjet e borës në zonat malore. Më intensive ato janë në Bogë, Theth dhe Vermosh, ndërsa borëpastrueset po punojnë për të siguruar qarkullimin në aksin rrugor.