Ndikimi i familjes tek fëmija/ Loka: Me statistikë familja është terreni ku dëgjohen më së shumti fjalët: Idiot, kokëtrash...

Psikologia, Silvana Loka, ishte e ftuara e mbrëmjes së sotme në emisionin "Ora e Betit" në "Ora News" ku ftoi të gjithë prindërit për t'iu përgjigjur disa pyetjeve, nga të cilat shpjegohen disa nga mësimet që po i'u japin fëmijëve të tyre.

"Ajo që unë do të çmoj si shumë të rëndësishme do të ishte fakti që prindërit i ftoj që të shohin brenda shtëpisë së tyre. Unë do të bëj një ushtrim të vogël sot dhe ftoj të gjithë prindërit që janë duke na dëgjuar që të fillojnë të skanojnë shtëpinë e tyre, të fqinjve dhe të atyre që njohin.

Më thoni pak, sa prej jush kanë një bibiliotekë. Më thoni sa libra digjital lexojnë prindërit sot në familja. E vërteta e hidhur është se gjyshërit janë më të lexuar se nipërit dhe mbesat. Kjo po kushton shumë. Sot bëhet fjalë për analfabetizëm dhe është një realitet ulëritës. Me thoni pak në sa shtëpi ka një kënd lojërash për fëmijën, ku mund të ulet tv pikturojë, të luaj me ujë dhe me rërë. I kërkojmë këndet e lojrave në lagje ndërkohë që në shtëpi nuk kanë.

Hapni frigoriferin dhe shikoni sa ushqime të shëndetshme keni. Sa pije të gazuara dhe ushqime të pashëndetshme janë të pranishme në shtëpi. Në fund të ditës kjo përkthehet se cili është mësimi që i japim fëmijës për të dashur shëndetin.

Për të mos folur pastaj për dhunën familjare. E dini ju që me statistikë në familje, familja është terreni ku dëgjohen më së shumti fjalët "idiot, kokëtrash, ti nuk do të bëhesh i zoti në jetë, i ngjan fisit të mamit apo të babit". Këto gjëra e rëndojnë fëmijën", u shpreh Loka.