Sejko: Inflacioni u kthye në objektiv pa shkaktuar recesion
Banka e Shqipërisë ndërmori menaxhim strategjik të kushteve monetare që siguroi që inflacioni të kthehej në objektiv pa shkaktuar recesion, duke ruajtur stabilitetin makroekonomik në vend.
Kështu deklaroi sot Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në Workshop-in e 18-të Kërkimeve Ekonomike për Evropën Juglindore, që u mbajt sot në Tiranë, me pjesëmarrjen e Ruth Huber, ambasadore e Zvicrës në Shqipëri, si dhe të 25 kërkuesve shkencor të bankave qendrore të Austrisë, Azerbajxhanit, Bosnjë–Hercegovinës, Kroacisë, Maqedonisë së Veriut, Italisë, Turqisë; të universiteteve nga Budapesti, Bukureshti, Barcelona, Milano, Londra, Tirana dhe institucioneve ndërkombëtare si Banka Botërore, Joint Vienna Institute dhe Instituti i Turizmit, Zvicër.
Guvernatori Sejko u shpreh se takimi i këtij viti vjen në një moment të veçantë, ku ekonomia globale përballet me pasiguri të shtuara që vijnë nga një mjedis i paqëndrueshëm i inflacionit dhe normave të interesit, por edhe me pasiguri politike dhe institucionale që krijojnë terren për ndryshime të rëndësishme të politikave dhe qeverisjes në vitet e ardhshme. Ai theksoi se sfidat e tjera afatgjata të lidhura me ndryshimet e klimës, digjitalizimin dhe përfshirjen financiare, apo sigurinë kibernetike kërkojnë ndërmarrjen e politikave të rëndësishme, të cilat nxiten nga diskutime në forume të tilla.
Më tej, Guvernatori nënvizoi se ekonomia shqiptare ka pësuar ndryshime të rëndësishme strukturore, që lidhen me rritjen e shpejtë të turizmit dhe ndërtimit, ndryshime demografike të lidhura me plakjen e popullsisë, migrimin e saj, si dhe procesin e integrimit në BE. Ai shtoi se gjatë pesë viteve të fundit, ekonomia e Shqipërisë është përballur me luhatje të konsiderueshme të çmimeve për shkak të fenomeneve natyrore, goditjeve ekonomike dhe zhvillimeve gjeopolitike.
Banka e Shqipërisë, nëpërmjet politikës monetare, ka dëshmuar të jetë e zhdërvjellët ndaj këtyre ndryshimeve, duke siguruar që kushtet e financimit të mbeten të favorshme për një rritje ekonomike të qëndrueshme, të reflektuar në rritjen e kreditimit me bazë të gjerë dhe likuiditetin e bollshëm në sistemin financiar. Guvernatori theksoi se krahas rregullimeve në normat e interesit, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë politika të tjera, si ato makroprudenciale në bashkëveprim me ato me natyrë mikroprudenciale.
Sejko përmendi gjithashtu dhe një sërë nismash të tjera të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, që kanë të bëjnë me rritjen e përfshirjes dhe kulturës financiare, ku ligji mbi shërbimet e pagesave dhe mbi llogarinë bazike, anëtarësimi ynë në SEPA; Strategjia për Edukimin dhe Përfshirjen Financiare, pritet të sjellin ndryshime të rëndësishme në zhvillimin e mëtejshëm të sistemit financiar.
Në mbyllje të fjalës së tij, Guvernatori pasi falënderoi diskutantët, drejtuesit e sesioneve dhe stafin, u shpreh se hulumtimi kërkimor jep një kontribut të rëndësishëm për bankat qendrore, duke iu mundësuar atyre të shërbejnë si një shtyllë thelbësore e stabilitetit të çmimeve dhe të atij financiar, rol të cilin Banka e Shqipërisë e luan me shumë përgjegjshmëri.
