'Son? Mund të jetë kushëriri i tij', pezullohet shtatë ndeshje lojtari i Tottenhamit për deklarata racis*e
Rodrigo Bentancur, i akuzuar nga Federata e Futbollit se ka bërë ofendime raciste ndaj shokut të tij të skuadrës, Son Heung-min, është dënuar me 7 ndeshje pezullim.
Kjo është masa e marrë institucioni që drejton futbollin anglez për rastin që përfshiu mesfushorin uruguaian pak muaj më parë.
Çfarë ndodhi?
Gjatë një interviste për një televizion uruguaian, qershorin e kaluar, ish-lojtari i Juventusit tha me ironi:
"Son? Ai mund të jetë edhe kushëriri i tij, pasi të gjithë duken njësoj".
Një shaka që nxiti menjëherë procedimin disiplinor nga Federata, që sot mori vendimin:
"Mesfushori i Tottenham Hotspur ka shkelur rregullin E3.1 të FA duke vepruar në mënyrë të papërshtatshme dhe/ose duke përdorur fjalë ofenduese dhe/ose fyese.
Kjo përbën një 'vepër të rëndë' siç përcaktohet në Rregullin E3.2 të FA, pasi përfshinte një referencë, të shprehur ose të nënkuptuar, për kombësinë dhe/ose racën dhe/ose origjinën etnike," argumentohet në vendimin e FA.
Bentancur i kërkoi falje publikisht shokut të tij të skuadrës, por kjo nuk ishte e mjaftueshme.
Tani ai do të humbasë ndeshjet e ardhshme të Spurs dhe do të mund të luajë vetëm në ndeshjet e Europa League-s kundër Romës dhe Rangers.
Këtë sezon ai luajti shtatë ndeshje si titullar, duke shënuar një gol.
