Balla: Kërkesat e popullsisë shqiptare të Luginës së Preshevës duhet të respektohen
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla priti në një takim Shaip Kamberin, deputet shqiptar në Parlamentin e Serbisë, përfaqësues i Luginës së Preshevës.
Balla u shpreh se, “kërkesat e popullsisë shqiptare të Luginës së Preshevës për eliminimin e dallimeve ekonomike, sociale e politike të cilat pengojnë integrimin dhe pjesëmarrjen efektive të shqiptarëve në Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë, janë të drejta dhe duhen adresuar në frymën e standardeve evropiane”.
“Është shumë i rëndësishëm trajtimi i nevojave të tyre në përputhje me parimet ndërkombëtare të respektimit të pakicave kombëtare”, nënvizoi Balla në një postim në rrjetet sociale.
“Ndamë gjithashtu pikëpamje të njëjta në lidhje me nevojën për të intensifikuar kontaktet dhe bashkëpunimin për të vënë në jetë angazhimet e ndërmarra në funksion të përmirësimit të jetës së banorëve të Luginës së Preshevës”, theksoi Balla.
