Koliqi: Buxheti 2025 për Arsimin, shumë larg premtimeve elektorale

Deputetja e opozitës Emilja Koliqi, tha se “buxheti për arsimin është shumë larg premtimeve elektorale, që parashikonte të ishte 5% e PBB, ndërsa ajo zë sot vetëm 2.54% të PBB-së“.

Duke marrë fjalën gjatë diskutimit të pr/buxhetit 2025 për Arsimin dhe Sportin në Komisionin e Ekonomisë dhe Financës, Koliqi vuri në dukje se, gjithashtu edhe propaganda e madhe që u bë për ligjin e ri, për kërkimin shkencor, rezultoi me një buxhet shumë të ulët 0.06% të PBB.

Ky tregues vijoi ajo, është shumë larg standardeve të BE që financon 2.2% të PBB për këtë sektor.

Koliqi theksoi se edhe për arsimin universitar totali i shpenzimeve korente nuk ka asnjë ndryshim nga 0.54% në 0.5% të PBB dhe ka rënie edhe në zërin e shpenzimeve kapitale me rreth 200 milionë lekë.

Duke iu referuar të dhënave të Censit, ajo vuri në dukje se, janë 48 mijë shqiptar që nuk dinë të shkruajnë dhe lexojnë.

Ndërsa sipas saj, gjendja e arsimit paraqitet edhe më e rëndë në zonat e thella rurale ku arsimi lë shumë për të dëshiruar si në aspektin e infrastrukturës por edhe pjesëmarrjes në mësim.

Koliqi tha se në bashkinë Shkodër nuk ka asnjë projekt të ri për arsimin. Duke marrë fjalën Jorida Tabaku theksoi se, financimi për investime në arsim është ende shumë i ulët.

“Fondet e financimit tregojnë se sa investohet tek arsimi dhe shqetësimi që unë kam ngritur që rritja e produktit të brendshëm bruto nuk shkon tek e gjithë ekonomia dhe kjo është fiktive”, tha ajo.

Sipas saj, mbështetja buxhetore është 2.54% e PBB dhe shqetësimi më i madh është sot për treguesit në rënie adresuar këtij sektori.

“Sot kemi një rënie reale sipas raportit PISA-s të numrit të nxënëse në shkolla që është një faktor demografik p.sh arsimi parashkollor ka një rënie 7.8% , 3.8% rënie parauniversitari, ndërsa nga ana tjetër 73% e të gjithë punë kërkuesve janë studentë që kanë mbaruar studimet dhe angazhohen në punë jashtë profilit të tyre”, tha Tabaku.

Ajo kërkoi që qeveria të adresojë politika dhe mbështetje për të lidhur studimet me tregun e punës.