Pirdeni: Investimi në kapitalin njerëzor, prioritet i reformës së administratës publike
Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni deklaroi sot se investimi në kapitalin njerëzor është dhe do të mbetet prioritet primar në kuadër të reformës së administratës publike.
Gjatë diskutimit të projektbuxhetit 2025 në komisionin për Çështjet Europiane, Pirdeni u shpreh se “buxheti bazohet në udhërrëfyesin për reformën në administratën publike dhe udhërrëfyesin për shtetin e së drejtës”.
Sipas saj, “janë pikërisht këto dy dokumente që parashikojnë masat konkrete, jo vetëm për institucionet e qeverisë shqiptare por edhe institucione të tjera të cilat bartin kompetenca në këtë fushë”.
“Pjesa më e madhe e masave në këto fusha kanë kosto administrative, pra mbulohen nga shpenzimet buxhetore në drejtim të fondit të pagave, por jo vetëm. Janë parashikuar edhe investime në nivelin e sistemeve dixhitale si në lidhje me përmirësimin e gjithë kuadrit të sistemit e-Albania për të përmirësuar më tej ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve, por edhe për menaxhimin e integruar të burimeve njerëzore në administratën publike në shumën 3 milionë euro”, tha Pirdeni.
Ministrja e Shtetit solli në vëmendje progresraportin e KE-së ku sipas saj, “vlerësohet në mënyrë pozitive rritja e qenësishme e pagave në sektorin publik në Shqipëri”.
“Niveli mesatar i pagave është në masën 900 euro ndërsa në sistemin arsimor arrin në masën 950 euro”, tha ajo.
Krahas mbështetjes buxhetore, Pirdeni theksoi se BE mbështet dy projekte kyçe për mirëqeverisjen në masën 3.6 milionë euro, si dhe në asistencë teknike në masën 3.85 milionë euro në fushën e luftës kundër korrupsionit.
Pirdeni vlerësoi se mbështetja buxhetore dhe mbështetja që vjen nga partnerët europianë mbetet thelbësore në avancimin e reformës në këtë fushë.
