Manastirliu: Për vitin 2025 parashikohet që buxheti të jetë 18,8% më shumë krahasuar me vitin 2024
Në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, ishte e pranishme ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, për diskutimin në parim të projektligjit “Për Buxhetin e Vitit 2025”.
Manastirliu tha se projektbuxheti i Ministrisë së Arsimit e Sportit reflekton prioritetet në arsimin parauniversitar, arsimin e lartë, kërkimin shkencor dhe në sport duke mbështetur politikat, strategjitë kombëtare e impenjimin që ka ministria për rritjen e standardit dhe cilësisë në edukim.
Ministrja theksoi se buxheti për arsimin është buxheti më i madh historik, që prioritizon investimet në arsim dhe rritjen e pagave për arsimtarët, investimet në teknologji në shkolla etj.
Manastirliu përmendi dhe programet e ndërkombëtarizimit dhe profilizimit të universiteteve, duke theksuar se është mundësuar hapja në Tiranë dhe Gjirokastër e kampuseve të universiteteve prestigjioze.
Sa i përket buxhetit të Ministrisë të Arsimit dhe Sportit, për vitin 2025, ai parashikohet në vlerën 62,2 miliardë Lekë, me një rritje prej 10 miliardë lekë, ose 18,8% më shumë krahasuar me një vit më parë.
Së bashku me buxhetet që i janë dedikuar Akademisë së Mbrojtjes, Akademisë e Sigurisë, Shkollës së Magjistraturës, investimet për arsimin nga pushteti vendor, mbështetja për arsimin profesional, arrin vlerën 89,1 miliardë lekë, që përbëjnë 10,84% të buxhetit të shtetit.
