Barazim pa gola në duelin e mbijetesës, Bylisi e Laçi i prishin punë njëra-tjetrës

Bylisi dhe Laçi ndanë pikët me një barazim “të thatë” në takimin e luajtur në stadiumin “Adush Muça” në kuadër të javës së 12-të të Superiores.

Në fakt, është një rezultat që nuk i shkon për shtat asnjërës skuadër, pasi mbeten në dy vendet e fundit respektivisht me 10 dhe 11 pikë.

Rastet nuk munguan, sidomos gjatë pjesës së parë, me Kofin e Laçit që nuk kontrollon si duhet topin në një rast të volitshëm në të 27-tën e pak minuta më vonë përballë portierit Beqaj godet jashtë.

Në pjesë ne dytë (54’) Melo gjuan nga goditja e dënimit, po reagon portieri, ndërsa në të 62-tën Sulovari  lëshon të majtën potente nga jashtë zonës, duke detyruar Dajsinanin të bëjë një pritje fantastike.

Asgjë nuk ndryshoi në minutat e mbetura në këtë duel mbijetesë që u mbyll me rrjeta të paprekura.

Më fund, ballshiotët e mbyllën me 10 lojtarë, pasi Ofori u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 90-të.