KQZ miraton në parim projektvendimin për listën e dokumentacionit për votuesit e diasporës

Në mbledhjen e Komisionit Rregullator ditën e sotme, u diskutua projektvendimi për miratimin e listës së detajuar të dokumentacionit që kërkohet për votimin e zgjedhësve jashtë Shqipërisë.

Nëntë janë dokumentet e miratuara nga Komisioni, sipas Jona Josifit nga KQZ. “Nëntë dokumente të aprovuara si vërtetim pronësie, vërtetim banimi ose dokument tjetër ekuivalent, kontratë qiraje, kontratë kredie për blerjen e banesës, kontratë e energjisë elektrike, kontratë e ujit, faturë e abonimit digjital për transmetimin audioviziv, kontratë telefonit fiks, dokumente që vërtetojnë qëndrimin në një kamp emigracioni, qendër shëndetësore etj.”, tha Josifi.

Kryetarja e këtij Komisioni, Iliriana Nano u shpreh se “janë miratuar rregullat për regjistrimin e zgjedhësve jashtë Shqipërisë, por miratimi i këtij projektvendimi mbyll fazën e regjistrimit dhe ndërkohë përgatisim listën e zgjedhësve. Pra, ata dinë si do të aplikojnë dhe si do të regjistrohen në këto zgjedhje”.

Projektvendimi u hodh për votim në parim dhe u miratua me pesë vota pro.

“Për projektvendimin e miratimit të listës së detajuar të dokumentacionit që kërkohet për votimin e zgjedhësve jashtë Shqipërisë, miratohet në parim me pesë vota pro”, tha Nano.