Demokratët mund të bllokojnë rrugët me makinat e tyre, policia nxjerr në terren autobotet me ujë
Deputetët e Partisë Demokratike do të bllokojnë rrugët me makinat e tyre. Ky është plani i opozitës, detajet e të cilës u zbuluan nga deputetja Dhurata Çupi.
“Makina ime do të jetë në reshtin e parë. Unë jap shembullin time. Nëse unë nuk do isha me makinën time do ishte e padrejtë”, tha ndër të tjera Dhurata Çupi.
Ndërkohë policia ka marrë masa të shumta për të mos lejuar pengimin e qarkullimit në akset rrugore që janë paralajmëruar se do të bllokohen nga opozita.
Policia përpos efektivëve të shumtë, në terren ka nxjerrë edhe autobotin me ujë për të shpërndarë protestuesit.
Policia tha një dite me pare qe Partia Demokratike e Shqipërisë ka paraqitur kërkesën për zhvillim të tubimeve, nga ora 17:00 deri në orën 20:00 në disa akse rrugore kryesore në vend, konkretisht: “Tiranë–Durrës”, pranë mbikalimit të Kamzës; “Durrës-Tiranë”, pranë mbikalimit të Shkozetit; “Kashar–Milot”, pranë kryqëzimit të Milotit; “Elbasan–Tiranë”, te rrethrrotullimi i Bradasheshit; “Durrës–Fier”, te rrethrrotullimi i Rrogozhinës dhe “Levan–Tepelenë”, te rrethrrotullimi i Levanit.

