Gjashtë zyrtarë nga Policia e Shtetit vizitë në SHBA, takime me agjenci amerikane
Gjashtë zyrtarë nga Policia e Shtetit po zhvillojnë një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të zhvilluar takime me agjenci amerikane dhe organizata jofitimprurëse.
Ambasada e SHBA-ve në Tiranë bëri të ditur sot se, gjashtë zyrtarë nga Policia e Shtetit, Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit, ndodhen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për takime me agjenci amerikane dhe organizata jofitimprurëse, si pjesë e Programit Ndërkombëtar të Vizitorëve Udhëheqës mbi “Çuarjen Përpara të Sigurisë dhe Integritetit në Dogana dhe Mbrojtjen e Kufirit”.
Në këtë vizitë, pjesëmarrësit po eksplorojnë strategji dhe mënyra bashkëpunimi mbi temat kryesore të sigurisë kufitare, trafikimit të qenieve njerëzore, procedurave të kërkimit të azilit dhe programeve të ndihmës për emigrantët, thekson Ambasada amerikane.

