VIDEO/ Fëmijët e Niklës duan shkollën e tyre, nxënësit bojkotojnë sërish mësimin në Fushë-Krujë. Ulliri: Janë ndaluar autobusët që çojnë fëmijët në shkollë

Që nga fillimi i sezonit të vitit të ri shkollor nxënësit e shkollës së përgjithshme në Nikël kanë bojkotuar mësimin në 9 ditë.

Në ditën e sotme në protestën dhe bojkotimin e radhës, një pjesë e nxënësve nuk kanë preferuar të dalë nga shtëpitë e tyre, një pjesë tjetër janë bashkuar protestës në fshatin Nikël, madje dhe mjetet e transportit të nxënësve sot nuk janë paraqitur.

Shkolla “Ramazan Karaj” në Nikël me 450 nxënës, që frekuentonin mësimin nga disa fshatra të kësaj njësie administrative, prej vitit 2019 nuk e zhvillojnë mësimin në shkollën e tyre, por në Fushë-Krujë.

Në projektin e tenderimit të ndërtimit të shkollës, prej burokracive, po zgjaten proçedurat e saj, ndërkohë që nxënësit përballen me të tilla vështirësi.

Deputetja e PD-së, Andia Ulliri ishte e pranishme gjithashtu në këtë prostestë ku denoncoi se autobusët që shoqërojnë fëmijët në shkollë janë ndaluar për të ardhur.

Ulliri: Sot jemi sërish këtu në Nikël për të protestuar për rindërtimin e shkollës së Mesme të Bashkuar ‘’Ramazan Karaj’’, bashkë me nxënësit dhe prindërit.

Çfarë është ndryshe në këtë protestë ditën e sotme është fakti që autobusët të cilët shoqërojnë fëmijët në shkollat në Fushë-Krujë, janë ndaluar për të ardhur me një urdhër ndoshta nga drejtoritë arsimore vendore ose nga bashkia Krujë.

Kjo gjë bën një shkelje flagrante të të drejtave të fëmijëve për të marrë edukimin e tyre dhe për të zhvilluar orët mësimore.

Sot këta fëmijë e kanë bojkotuar mësimin me zgjedhjen e tyre por autobusët që shoqërojnë 400 nxënësit e tjerë të kësaj shkolle nuk janë nisur për ti shoqëruar në shkollë.

Ne bëjmë thirrje çdo institucioni i cili i ka lënë këto problematika, këta nxënës prej vitesh në harresë që të marrin sa më parë masa për të adresuar këtë problematikë.

Ne po përgatisim shkresat sepse nuk ka patur asnjë përgjigje zyrtare apo jo zyrtare si nga përfaqësuesit e e njësive apo qoftë të insititucioneve sepse askush nuk ka ardhur për të na dëgjuar për këtë problematikë.

Askush nuk ka qenë këtu me nxënësit dhe prindërit për të na dhënë përgjigje.