TRAJTIMET MINI-INVAZIVE NË NEUROSHKENCË/ Ekspertët e neurologjisë dhe neurokirurgjisë mblidhen në Tiranë

Një ngjarje e rëndësishme për mjekësinë, Konferenca e Dytë Ndërkombëtare “Trajtimet Mini-Invazive në Neuroshkencë”, do të zhvillohet në Tiranë më 26 tetor, në Plaza Hotel.

Përveç ekspertëve më të spikatur të neurologjisë dhe neurokirurgjisë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, në të do të marrin pjesë edhe figura të shquara të neuroradiologjisë botërore, ndër të cilët, Profesor Emanuel Hudart, Shefi i Njësisë së Neuroradiologjisë Intervencionale në Spitalin Laribuazie në Paris.

“Fokusi i kësaj konference është trajtimi i goditjeve në tru dhe dhimbjeve kronike, sidomos atyre neurologjike dhe migrenave. Goditjet në tru janë shkaku i tretë më i madh i vdekshmërisë në popullatë dhe shkaku kryesor i invaliditetit neurologjik. Qëllimi është të rrisim ndjeshmërinë mbi këto çështje dhe të shkëmbejmë mendime dhe përvoja në fushën neurologjike dhe neurokirurgjikale” tha profesor Emanuel.

Gjatë Konferencës, do të diskutohet mbi raste të komplikuara të pacientëve nga Shqipëria dhe Kosova, duke ofruar zgjidhje dhe diagnoza të sakta.

“Do të prezantojmë dhe do të rrahim mendime mbi raste konkrete të pacientëve, të cilët i kemi ekzaminuar dhe për të cilët kemi vendosur diagnoza dhe indikacione për trajtim në rast nevoje. Një pjesë e rasteve që do të diskutojmë janë pacientë nga Shqipëria dhe Kosova”, theksoi profesor Emanueli.

Në bashkëpunim me specialistë të njohur nga Franca, Spitali Amerikan ka ngritur Qendrën e Stroke, strukturën më të specializuar për trajtimin e goditjeve në tru.

“Ky bashkëpunim mes Francës dhe Shqipërisë, është i veçantë, pasi Spitali Amerikan ka strukturën më të avancuar në Neuroradiologjinë ndërhyrëse dhe të gjitha këto ndërhyrje, që nga goditjet në tru dhe deri tek keq formimet vaskulare cerebrale kryhen me sukses nga doktor Eugen Enesi, i cili është specializuar në Spitalin tonë në Paris. Së bashku do të punojmë për ta çuar akoma më tej Neuroradiologjinë ndërhyrëse dhe këtë projekt madhor të Spitalit Amerikan”, tha profesori francez.

Pas suksesit të Konferencës së parë të organizuar në Prishtinë në mars, ky edicion i dytë pritet të sjellë diskutime të frytshme për specialistët dhe specializantët e fushave të ORL, Neurokirurgjisë, Neurologjisë dhe Radiologjisë. Të gjithë të interesuarit janë të ftuar të kontribuojnë në këtë ngjarje të rëndësishme.