Manastirliu: Gjimnazistët e “Sami Frashërit”, projekte sociale në ndihmë të njerëzve në nevojë
Nensi Allushi dhe Rubin Nuredini, nxënës të gjimnazit “Sami Frashëri” në Tiranë, janë dy të rinj të pasionuar pas teknologjisë që kanë zhvilluar së fundmi projekte sociale që u vijnë në ndihmë njerëzve në nevojë.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastriliu solli sot shembullin e dy nxënësve, të talentuar të këtij gjimnazi.
“Në Laboratorin e Inteligjencës Artificiale në shkollën e tyre, me mbështetjen e mësueses së përkushtuar Mirsida Maloku, Nensi ka krijuar një website që ofron ndihmë profesionale nga psikologët, pa pagesë, duke e bërë këtë shërbim të arritshëm për ndihmë në çdo kohë”, tha Manastriliu.
Manastirliu bëri të ditur se “Rubini me ndihmën e inteligjencës artificiale ka zhvilluar një program që përkthen shkronjat në gjuhën e shenjave, duke u ardhur në ndihmë personave me vështirësi në komunikim”.
Ministria e Arsimit dhe Sportit është e përkushtuar të inkurajojë dhe mbështesë të gjitha aftësitë digjitale në shkolla duke filluar nga klasa e parë me kodimin e më pas duke e zhvilluar teknologjinë edhe sa i përket zgjerimit të laboratorëve.


