Plarent Ndreca ZYRTARISHT i pandehur! Bardhi i publikon VIDEON: Deputeti i PS-së në zullum, gënjeu publikisht
Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet për deputetin e Partisë Socialiste Plarent Ndreca i cili është marrë i pandehur, për akuzën e shkeljes pabarazisë në tenderë lidhur me procedurat për rikonstruksionin e 4 komisariateve në vend, në kohën kur ai ishte sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme.
Këtë të premte, përfaqësuesit ligjor janë paraqitur në SPAK për t'u njohur me përfundimin e hetimeve, Vetë Ndreca nuk ishte i pranishëm po përfaqësohej nga avokati Ermal Yzeiraj.
Akuza u është komunikuar edhe disa zyrtarëve të tjerë si dhe anëtar të komisionit të vlerësimit të ofertave. Kallëzimi në SPAK u bë nga Kontrolli I Lartë i Shtetit, i cili dyshon se zyrtarët kanë lejuar mospërputhje dhe devijime ligjore në garën për ndërhyrje në Komisariatet e Vlorës, Mirditës, Pogradecit dhe atij nr. 4 në Tiranë.
Sipas KLSH-së, gjatë kontrollit u gjetën mospërputhje dhe devijime ligjore, si pasojë e shkeljeve të dispozitave ligjore në procedurat e prokurimit publik, të cilat kanë cenuar barazinë e pjesëmarrësve në tenderë. Po ashtu, ka pasur edhe rritje të paargumentuar të vlerës së kostove të ndërtimit dhe kostove të projektimit në procedurën e prokurimit. Procedurat janë kryer kur kjo ministri drejtohej nga Sandër Lleshaj.
Lidhur me këtë hetim ka reaguar edhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi i cili rikthen në vëmendje deklaratën e një jave më parë të Ndrecës, i cili mohoi të kishte një vendim të tillë ndaj tij.
REAGIMI I BARDHIT

Deputeti i Edi Ramës gënjeu publikisht kur deklaroi se është e pavërtetë që është nën hetim nga SPAK. Por, gënjeshtra mbulon zullumin vetëm për disa orë apo ditë, por e vërteta triumfon përgjithmonë!
E vërteta është që tenderat publik në Qeverinë e Edi Ramës janë kthyer në mundësi vetëm për klientë të paracaktuar, duke eleminuar garën dhe meritokracinë. Klientelizmi dhe korrupsioni janë e vetmja formë për të bërë biznes në Shqipëri gjatë qeverisjes së Edi Ramës.
Për këtë nevojiten zyrtar publik si Plarent Ndreca, që për shërbimet në shkelje të ligjit, për mbështetjen ndaj klientelizmit dhe korrupsionit, shpërblehen nga Edi Rama duke u promovuar si deputet!


