Vokshi nga Strasburgu: Informuam eurodeputetët për arrestimin pa fakte e prova të liderit të PD, Sali Berisha
Deputetja e PD-së, Albana Vokshi së bashku me sekretarin e Përgjithshëm, Flamur Noka dhe nënkryetarin Agron Gjekamarkaj ka zbuluar detaje në lidhje me takimet e shumta të zhvilluar tre ditët e fundit në Parlamentin Europian, në Strasburg.
Vokshi u shpreh se janë informuar europarlamentarët për sulmin e paprecedentë ndaj opozitës nga ana e pushtetit, duke përdorur dhe prokurorinë, me qëllimin e vetëm shkatërrimin e saj.
Vokshi theksoi në fjalën e saj, se kanë informuar europarlmentarët edhe për arrestimin pa fakte e prova të liderit të demokratëve, Sali Berisha i cili është ndaluar qëllimisht për të dëmtuar PD-në.
‘U ndalëm gjatë në atë që ditët e fundit është vërejtur akoma më shumë edhe sulmi i qëllimshëm ndaj opozitës, duke përdorur për fat të keq edhe drejtësinë që po përdoret politikisht nga ana e Edi Ramës dhe mazhorancës për të sulmuar dhe persekutuar opozitën.
U ndalëm në sulmin e paprecedentë ndaj opozitës me qëllimin e vetëm shkatërrimin e saj, para zgjedhjeve parlamentar. Jemi vetëm 5 muaj para zgjedhjeve parlamentare dhe ne informuam të gjithë miqtë tanë dhe personalitet që takuam në lidhje me lidershipin e të gjitha partive të opozitës që është ose është në arrest shtëpiak, ose në arrest me burg, ose kërcënohet me çështje të ndryshme në gjykata.
Informuam gjerësisht për arrestimin politik të liderit të opozitës, Sali Berisha i cili për pjesën më të madhe të vitit ka qenë, pa akuzë, pa fakte, pa dëshmitarë. Pra qëllimshëm për të dëmtuar PD-në, për të hyrë në zgjedhje pa lidershipin e saj. Informuam edhe për kolegun tonë, Ervin Salianji, i cili ndodhet në burg vetëm për faktin se guxoi të denonconte ish-ministrin e Brendshëm që fshihte vëllain e tij që ishte dënuar dhe duhej të vuante dënimin prej 7 vitesh në Itali. Gjithashtu informuam, treguam rreth rrëmbimit në mes të ditës të ish-presidentit, ish-kryeministrit dhe ish-kryeparlamentit, Ilir Meta.
Pamjet ishin shokuese, nuk mund të ndodhë një pamje e tillë, për një ish-president në një vend që pretendon të ketë demokraci funksionale. Morëm mbështetje të pakufizuar për kërkesat tona’, tha Albana Vokshi për mediat nga Strasburgu.
