"PARTIZANI" - Sot zhvillohet seanca në GJKKO ndaj Sali Berishës
Kreu i opozitës, Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe tre persona të tjerë do të paraqiten në seancën paraprake në GJKKO, ditën e sotme, për dosjen “Partizani”.
Do të jetë gjykatësja paraprake Flojera Davidhi ajo që do të vendosë mbi fatin e çështjes. Tre janë mundësitë, ose do të nisë gjykimi i çështjes, ose do të kthehet pas, ose çështja pushohet.
Kujtojmë se kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ndodhet në arrest shtëpie prej 30 dhjetorit të vitit 2023.
Berisha është në hetim për veprën penale të korrupsionit së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, i cili akuzohet nga SPAK se ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.
Si Berisha ashtu edhe Malltezi i kanë kundërshtuar akuzat dhe e kanë cilësuar hetimin si të orkestruar nga kryeministri Edi Rama. Gjithashtu, Berisha dhe mbështetësit e tij e kanë cilësuar këtë masë si përpjekje për asgjësimin e opozitës.

