Stërvitja e NATO-s në Bullgari, Vengu: Të angazhuar për forcimin e sigurisë në rajon

Toga e Regjimentit të Këmbësorisë së Jugut të Kontingjentit të IV “FLF BGR” në Bullgari përmbylli me sukses muajin e katërt të misionit në stërvitjen “FLASH”.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ndau sot në rrjetet sociale momente nga kjo stërvitje, ndërsa vlerësoi profesionalizimin e treguar nga ushtarakët shqiptarë.

Vengu bëri të ditur se gjatë dislokimit në Camp Novo Selo, ushtarakët shqiptarë treguan aftësi të shkëlqyera në skenarë luftimi.

“Në bashkëpunim me forcat aleate të NATO-s, efektivët tanë shfaqën profesionalizëm dhe përgatitje të lartë, duke dëshmuar angazhimin e Shqipërisë për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon”, u shpreh ministri i Mbrojtjes.