EMRI/ Kapet në Romë njeriu i besuar i Çopjave në pastrimin e parave në kryeqytet
Është arrestuar në Romë, kryeqytetin Italian Klajdi Merkaj njëri nga personat e shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK, si i përfshirë në skemën e pastrimit të parave me vëllezërit Hajdar dhe Franc Çopja, të cilët janë implikuar në trafikun e drogës dhe kryerjen e vrasjeve.
Arrestimi i Merkaj, është kërkuar nga SPAK prej muajit Korrik 2024, por masa e “arrestit në burg” kundër tij, është ekzekutuar në Itali, shtet në të cilin ai qëndronte i fshehur për t’ju shmangur Drejtësisë Shqiptare.
“Ora News” ka mësuar se emri i Merkaj, ishte publikuar me “kartelë të kuqe” nga Interpol Tirana, institucion ky që ka vënë në zbatim masën e sigurisë të nxjerë nga prokuroria e posaçme SPAK.
Pritet që në ditët në vijim prokurorët Doloreza Musabelliu dhe Behar Dibra, ti drejtohet me një letërporosi gjykatës së Romës, duke kërkuar ekstradimin në Shqipëri të Klajdi Merkaj.
Ndërkohë SPAK, ka nisur paralelisht dhe një hetim pasuror ndaj Klajdi Merkajt vëllezërve të tij, Astrit Merkaj Endri Merkaj dhe rrethi i bashkëpunëtorëve të tyre.
Gjatë kësaj kohe SPAK ka skanuar një pjesë të pasurive që gëzohen nga tre vëllezërit dhe prindërit e tyre, duke marrë informacione të detajuara përmes Kadastrës, Bankave të Nivelit të Dytë, Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe shumë burimeve të tjera, përfshirë këtu dhe Drejtorinë e Parandalimit të Pastrimit të Parave.
Klajdi Merkaj, i arrestuar në Romë, rezulton të ketë mbajtur komunikim të ngushtë me vëllezërit në Dubai, Hajdar dhe Franc Çopja, sipas komunikimeve në aplikacionin “Sky Ecc”.


