VIDEO/ Ministri Hoxha: Protesta ishte e dhunshme, u sulmuan institucionet dhe selia e PS. Policia veproi mirë

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha foli me tone të ashpra ndaj protestës së sotme të opozitës në Tiranë.

Hoxha theksoi se protesta ishte e dhunshme dhe u sulmuan institucionet kryesore të shtetit.

Ai njoftoi se nga 10 policë të lënduar, tre prej tyre ende janë në spital, ndërsa theksoi se asnjë protestues nuk ka pësuar dëmtime.

“Punonjësit e policisë kanë përjetuar dëmtime të lehta. Disa prej tyre janë rikthyer në shtëpi, ndërsa tre janë ende nën kujdesin e mjekëve. Menaxhimi i protestës ka qenë në përputhje me ligjin”, u shpreh ministri Hoxha.

Ai theksoi se reagimi i Policisë së Shtetit ishte në përputhje me standardet europiane.

“Policia do të vazhdojë të jetë e angazhuar për të përballuar çdo situatë proteste. Kjo protestë kishte elemente dhune, dhe në situata kur punonjësit e policisë përballen me rrezik, do të ketë një reagim të nevojshëm,” shtoi ai.

Hoxha tha se protesta ishte e dhunshme. “U sulmuan institucione kushtetuese të shtetit shqiptar, sikurse ju e patë. Janë sulmuar pothuajse të gjitha institucionet e shtetit shqiptar, përfshirë këtu edhe PS.

Ky sulm, ka bërë që Policia të përgjigjet dhe të zmbrapsë trumën duke përdor edhe gazin lotsjellës. Përgjigja e policisë është konform ligjit”, theksoi Hoxha.

Hoxha theksoi se “nuk po them se do të kemi një reagim më të ashpër,” por përfundoi se “Policia e Shtetit ka vepruar sipas standardit të një policie europiane, përkundër natyrës së dhunshme të protestës.”

Gjithashtu, ata vizituan edhe një nënë, e cila lindi në makinë për shkak të bllokimeve të rrugëve nga protestuesit.

Gjatë protestave, dhjetë policë u lënduan nga sulmet me molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta.

MINISTRI HOXHA DO TË REAGONTE EDHE PËRMES RRJETEVE SOCIALE

Ata të cilët e orkestruan shfaqjen e shëmtuar të mbrëmjes së sotme në rrugët e Tiranës, kanë shkuar tanimë pranë familjeve të tyre. 

Ndërsa ata, që fatkeqësisht nuk kthehen dot sonte pranë familjes janë tre efektivë policie, të cilët janë plagosur dhe do të qëndrojnë në spital, për të vetmen arsye se ishin në krye të detyrës. 

I falënderova të tre efektivët dhe u urova kthim sa më të shpejtë në shtëpi. 

I falënderoj edhe njëherë të gjithë punonjësit e Policisë që u provokuan, goditën dhe madje u lënduan, por treguan profesionalizmin dhe maturinë e një trupe që reagon vetëm proporcionalisht, si një trupë evropiane e një shteti evropian. 

Sot ata kishin përballë një turme të çoroditur nga një motivim politik absurd, ku një pjesë individësh kapërcyen vijën e ligjit me akte të dënueshme. 

U bllokua deri edhe rruga e autoambulancës, apo u sulmua si kurrë në ndonjë vend demokratik selia e një partie politike kundërshtare (përveç përsëritjeve klasike të sulmeve qorre mbi muret e institucioneve qendrore apo zjarrvënies së pemëve të “qeverisë” që nuk munguan edhe sonte). 

Por pavarësisht absurditetit të shfaqjes së sotme të një “mosbindjeje civile”, që fyen inteligjencën e çdo qytetari të këtij vendi, Policia e Shtetit e kreu detyrën konform praktivave më të mira demokratike.

Orkestruesit e kësaj shfaqjeje jocivile sonte do të flenë në shtëpitë e tyre dhe nuk do ta prishin gjumin, as për të çoroditurit nga bllofi i “mosbindjes civile” që natën do ta kalojnë si persona në kërkim për aktet e tyre të paligjshme. 

Çdo akt është i dokumentuar dhe çdo autor aktesh antiligjore është tanimë subjekt i organeve ligjzbatuese. 

I garantoj qytetarët e këtij vendi se bllofi i mosbindjes civile nuk do të prodhojë asgjë tjetër, përveç përgjigjes proporcionale dhe shteruese të ruajtësve të ligjit ndaj shkelësve të ligjit. 

Natën e mirë!