Gupi krahason protestën me dy mosbindjet më të mëdha civile: Në vend të Gandhit kemi Flamur Nokën dhe si Martin Luther King është Gaz Bardhi...
Partia Demokratike mbajti ditën e sotme një protestë në kryeqytetin e vendit duke kërkuar që qeveria të zëvendësohej nga një kabinet kujdestar teknokratik përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm.
Opozita akuzon qeverinë për manipulim të votimeve të mëparshme dhe për uzurpim të pushteteve, përfshirë atë të gjyqësorit.
Ajo akuzon qeverinë për arrestimin e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe burgosjes së deputetit Ervin Salianji
Nisur nga kjo situatë protesta e sotme ishte një kundërpërgjigje e dhunës së pushtetit, ku nuk i kurseu molotovët dhe flakët drejt Kryeministrisë, selisë së PS-së, Ministrisë së Brendshme, Bashkisë së Tiranës dhe Kuvendit të Shqipërisë.
Dhe në të njëjtën monedhë ishte dhe reagimi i policisë së shtetit, e cila nuk e kurseu gazin lotsjellës ndaj protestuesve.
Për të folur se çfarë synon kjo protestë dhe se çfarë do të ndodh më tej, është i ftuar në studion e emisionit "Drejt" në "Ora News", pedagogu dhe avokati, Marsid Gupi.
"Kisha goxha kureshtje se çfarë do realizonte kjo mosbindje civile, sepse më vjen në mendje që dy mosbindjet civile që janë realizuar në historinë e njerëzimit. Të mendosh që në vend të Mohandas Gandhit kemi Flamur Nokën dhe në vend të Martin Luther King është Gaz Bardhi. Problemi është se nuk më krijohet bindja se për cilën të drejtë po luftojmë", tha Gupi.
