DOKUMENTI/ 4 miliardë lekë për mobilie shkallë elektrike dhe tunel ajror, SPAK anulon tenderin: Nuk na pëlqejnë ofertat
Është anuluar tenderi 4 miliard lekë të vjetra i hapur posaçërisht për ndërtimin pjesërisht të godinës së re të SPAK dhe mobilimin e plotë të zyrave të këtij institucioni.
Vendimi për anulimin e tenderit që do zgjidhte kompaninë fituese për kryerjen e punimeve, është marrë në 18 shtator 2024 nga komisioni i shqyrtimit të ofertave, i ngritur posaçërisht nga SPAK me punonjës të administratës.

SPAK, argumenton se vendimi për anulimin e tenderit me vlerë 4 miliard lekë është marrë për shkak se nuk i ka pëlqyer asnjë nga ofertat e paraqitura nga operatorët ekonomikë që kanë shfaqur interes për të fituar këtë tender.

Në 4 shtator gazetari i “Ora News” Elton Qyno, raportoi për çeljen e procedurave të këtij mega-tenderi nga SPAK, duke ngritur hije dyshimi për tej fryrje të vlerës ekonomike mbi zërat e punimeve që do kryhen brenda objektit.
Godina e re e SPAK, është ekzistuese pasi rezulton të jetë dhuruar nga bashkia e Tiranës. Aktualisht objekti disakatësh ruhet nga forcat e Gardës së Republikës, megjithëse nuk është funksional.
Ndërkohë ndërhyrjet e reja që do kryhen janë ndërtimi i shkallëve elektrike, sistemi elektrik, ndarjet e zyrave të brendshme dhe mobilimi i plotë, duke përfshirë dhe një tunel ajror me shufra çeliku, që do lidhë godinën e re me godinën e vjetër.

Në procedurën e parë tenderuese kanë marë pjesë disa kompani ndërtimi, por siç njofton SPAK asnjëra prej ofertave të paraqitura prej tyre nuk i janë dukur të përshtatshme për tu shpallur fituese.
Nisur nga kjo situatë, anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave kanë marrë vendimin për anulimin e tenderit. Pritet që në një kohë të mëvonshme komisioni i SPAK të ndryshojnë modalitetet e këtij mega-tenderi, dhe më pas të rihapë sërish procedurën tenderuese me qëllim shpalljen e fituesit.
Kujtojmë se vetëm për rrethimin e godinës së re me mur rrethues dhe kangjella, SPAK shpenzoi një shifër prej 79 milion lekë të vjetra ku fitues të kësaj procedure tenderuese bashkimi i operatorëve “Spektri” dhe “Jogi”.


