"Bleu dekoratën" Kreu i Bashkësisë Fetare Islame: Mediet e Rilindjes kanë shpifur për Metën, e konsideroj si një burrë shteti

Kreu i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut, Sulejman Rexhepi ka reaguar përme snjë statusi në rrjetet sociale lidhur me ato që i quan si shpifje për figurën e Ilir Metës.

Rexhepi shkruan se kurrë nuk ka bërë një akuzë kaq ordinere ndaj Presidentit Ilir Meta, përkundrazi u qëndron të gjitha vlerësimeve publike që ka bërë për të, si një burrë shteti që qëllim të vetëm të angazhimit të tij politik ka patur mbrojtjen e interesit kombëtar dhe çështjes shqiptare.

Rexhepi: Shpifjet ordinere të publikuara nga gazeta “Tema” e Mero Bazes dhe portalet e tjera të “Rilindjes” në Shqipëri nuk kanë asnjë lidhje me emrin tim dhe me Presidentin Ilir Meta dhe as nuk janë shkruar nga unë.

Kurrë nuk kam bërë një akuzë kaq ordinere ndaj Presidentit Ilir Meta, përkundrazi u qëndroj të gjitha vlerësimeve publike që kam bërë për të, si një burrë shteti që qëllim të vetëm të angazhimit të tij politik ka patur mbrojtjen e interesit kombëtar dhe çështjes shqiptare.

I përgënjeshtroj me përbuzje shpifjet e fëlliqura të mediave të “Rilindjes” dhe u kërkoj të fshijnë urgjentisht artikujt dashakeq, në të kundërt jam i detyruar të ndjek rrugën më të ashpër ligjore ndaj tyre.

Presidenti Ilir Meta është një burrë shteti, patriot dhe mbrojtës i paepur i interesit kombëtar, mik i imi dhe i familjes time dhe që kurrë, në asnjë rrethanë dhe në asnjë moment, nuk ka lidhje me akuzat politike të fabrikuara kundër tij duke keqpërdorur emrin tim.

Tema shkruan se: "Sulejman Rexhepi, ish- kreu i Bashkësisë Islame të Maqedonisë së Veriut ka botuar librin e tij me kujtime, ku mes të tjerash ka një dëshmi të rëndë kundër ish- presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta.Ai dëshmon se si Ilir Meta përmes Fahri Balliut i ka ofruar një dekoratë të lartë për 300 mijë euro. Ish- kreu i Bashkësisë Islame të Maqedonisë së Veriut e ka pas të nevojshme dekoratën për shkak të imazhit të tij pro grupeve radikale islame."