Me VIDEO/ Kaos në duelin Vllaznia-Tirana, pas shoqërimit, policia i vë prangat në komisariat 4 tifozëve pas përleshjeve në shkallët e "Loro Boriçit". Nis procedimi për ...
Një situatë kaotike u regjistrua mbrëmjen e djeshme në tribunën ku qëndrojnë ultrasit e Tiranës, në stadiumin “Loro Boriçi”, teksa po luhej dueli mes Vllaznisë dhe Tiranës.
Në pamje shikohen përleshje të tifozëve të Tiranës, të cilët kanë udhëtuar të shumtë në numër në mbështetje të skuadrës në këtë transfertë ndaj rivalëve historik të Vllaznisë.
Lidhur me këtë ngjarje të rëndë që fatkeqësisht vijon e përsëritet në stadiumet shqiptare, pesë tifozë janë shoqëruar në Komisariatin e Shkodrës pas ndeshjes së luajtur në stadiumin “Loro Boriçi”, Vllaznia- Tirana.
Policia bën me dije se pas shënimit të golit, tifozët e ekipit të Tiranës, hodhën në fushë lëndë piroteknike.
Në momentin që shërbimet e Policisë do shoqëronin personat e dyshuar, janë kundërshtuar me dhunë nga disa tifozë.
Shkodër/Informacion paraprak.
Rreth orës 20:30, të datës 25.08.2024, në stadiumin “Loro Boriçi”, Shkodër, ku zhvillohej ndeshja e futbollit e kategorisë superiore ndërmjet ekipeve “Vllaznia- Tirana”, pas shënimit të golit, tifozët e ekipit të Tiranës, hodhën në fushë lëndë piroteknike.
Shërbimet e Policisë ndërhynë menjëherë duke identifikuar personat që hodhën lëndët piroteknike në fushë.
Në momentin që shërbimet e Policisë do shoqëronin personat e dyshuar, janë kundërshtuar me dhunë nga disa tifozë.
Policia ka zbatuar procedurat standarde të punës për shoqërimin në Komisariat të pesë personave, për veprime të mëtejshme.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të këtij rasti.
Reagimi i dytë i Policisë Shkodër: U arrestuan të shoqëruarit
Kundërshtuan me dhunë, punonjësit e Policisë të angazhuar për të garantuar rend dhe qetësi para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit “Vllaznia-Tirana”, vihen në pranga 4 shtetas.
Procedohet penalisht një 30-vjeçar, pasi dyshohet se gjatë zhvillimit të ndeshjes, ka hedhur lëndë piroteknike.
Në përfundim të veprimeve procedurale dhe hetimore, të kryera menjëherë pas ndeshjes së futbollit ndërmjet ekipeve “Vllaznia-Tirana”, mbrëmjen e djeshme, në stadiumin “Loro Boriçi”, ku gjatë eventit sportiv, u hodhën lëndë piroteknike dhe u kundërshtuan me dhunë, punonjësit e Policisë të angazhuar për të garantuar rend dhe qetësi në stadium, Oficerët e Policisë Gjyqësore, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër:
-bënë arrestimin në flagrancë të 4 shtetasve të shoqëruar mbrëmë, menjëherë pas ndeshjes, D. P., 29 vjeç, Sh. X., 22 vjeç, Sh. S., 29 vjeç dhe A. S., 39 vjeç, të gjithë banues në Tiranë, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”, kryer në bashkëpunim dhe duke ushtruar dhunë fizike;
-proceduan në gjendje të lirë, për veprat penale “Prishja e qetësisë publike” dhe “Veprime të dhunshme në aktivitetet sportive”, shtetasin M. L., 30 vjeç, banues në Tiranë. Nga kontrolli fizik, 30-vjeçarit iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale, 1 kapsollë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.




